Plani i Trumpit/ Erdogan kritikon “tradhtinë arabe” !

31/01/2020 20:19

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka fshikulluar ashpër disa shtete arabe për mbështetjen e dhënë planit të paqes në Lindjen e Mesme që paraqiti këtë javë presidenti amerikan Donald Trump.

Për Erdoganin, një veprim si “tradhti”. “Disa shtete arabe që kanë mbështetur këtë plan kanë kryer tradhti kundër Jerusalemit, kundër vetë njerëzve të tyre, dhe c` është më e rëndësishme kundër gjithë njerëzimit”, u ka thënë Erdogan pjesëtarëve të partisë së tij në Ankara. Në shënjestrën e kritikave të Erdoganit, një mbrojtës i madh i të drejtave të palestinezëve, ishin Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Omani.

Erdogan:

Arabia Saudite, ju në veçanti jeni e heshtur. Kur do të thyeni heshtjen? Turp ju qoftë! Këto duar që duartrokasin planin, si do te mbajnë përgjegjësi  për këtë tradhti?”.

Të martën presidenti amerikan, Donald Trump paraqiti detajet e planit të tij për  zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Sipas presidentit amerikan, Jerusalemi do të mbetet “kryeqytet i pandarë” i Izraelit, por ndërkohë ka parashikuar një zgjidhje me dy shtete. Palestinezët pretendojnë prej kohësh që Jerusalemi Lindor të shpallet kryeqytet I shtetit të tyre në të ardhmen.

Top Channel