Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se të hënën nuk do ta votojë  qeverinë Kurti, dhe në asnjë variant nuk ka për të qenë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm të Kosovës. Deklaratën e bëri sot për  KosovaPress anëtari i kryesisë së kësaj partie,  Enver Hoxhaj.

Hoxhaj konsideron fajtor kryesor për faktin që nuk janë krijuar ende institucionet e Kosovës vetëm liderin e Vetëvendosjes. Ai e bëri të qartë se PDK nuk ka votë as për qeverinë e pakicës. Enver Hoxhaj i cili është edhe zëvendëskryeministër në detyrë i Kosovës u shpreh se Kurtit i mungon vullneti për krijimin të institucioneve të reja të vendit. Ai madje e kritikoi dhe takimin e liderit të Vetëvendosjes me përfaqësuesit e listës serbe një ditë më parë, një veprim që sipas tij, tregoi se Kurti nuk është lider serioz.  I pyetur megjithatë nëse PDK-ja është e gatshme, ai u përgjigj se zgjedhje nuk  do të ketë. Nënkryetari i PDK-së ka komentuar edhe vizitën e djeshme në Kosovë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell duke thënë se ai bëri gabim që nuk e takoi kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Top Channel