Londra Brexit/ Lot një pjesë, gëzim për të tjerë…

31/01/2020 20:29

Pas tre vjet e gjysmë bisedimesh të vështira dhe kaosi politik që çuan në dorëheqjen e dy kryeministrave, Britania largohet mbrëmjen e sotme nga Bashkimi Europian.

Mbështetësit e Brexitit kanë planifikuar festime të mëdha, por në Bruksel largimi i ligjvënësve britanikë u rrethua nga skena të ngarkuara me emocion. “Ne po largohemi. Liri, demokraci, dhe vetëqeverisje. Ne kemi fituar!”, tha mbështetësi i fortë I largimit, Nigel Farage, anëtar britanik i Parlamentit Europian.

Të tjerët shprehën keqardhje. “Të gjithë do t’i marrë malli për përfaqësuesit britanikë. Sigurisht, jo për të gjithë ata, për shembull nuk mendoj se do të na mungojë zoti Farage, por të gjithë të tjerët, po”, tha Guy Verhofstadt, anëtar belg i Parlamentit Europian. Por me largimin e Britanisë nga BE-ja në orën e fundit të së Premtes, a është tani e sigurt se procesi i Brexitit ka përfunduar?  Ende jo, thotë ish ambasadori amerikan Charlie Ries, I cituar nga VOA.  Pasiguria e vazhdueshme gjatë këtyre negociatave do t’i kushtojë Britanisë 5.5 miliardë dollarë humbje të Prodhimit të Brendshëm Bruto vetëm këtë vit, sipas një raporti, bashkautor i të cilit është dhe Ries.

Vetë Britania po vihet nën një tension gjithmonë e më të madh me Skocinë që kërkon një votë për pavarësi në mënyrë që të mund të anëtarësohet përsëri në BE. Brexit do të festohet nga mbështetësit e saj me koncerte në Londër dhe qytete të tjera. Por 31 janari është vetëm fundi i kapitullit të parë në dramën e gjatë të Brexitit.

Top Channel