Koronavirusi rrezikon Apple/ Vonesa për IPhone SE 2?

31/01/2020 20:16

Shpërthimi i koronavirusit të ngjashëm me SARS-in në Kinë kërcënon sipas disa raporteve, krijimin më të fundit të Apple-it, IPhone SE 2.

Kina po aplikon në masë të madhe karantinën në vazhdën e përpjekjeve për të frenuar përhapjen e shpejtë të virusit të ri, dhe mjaft punonjës janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi. Ekspertët mendojnë se nga kjo situatë, zor të mos cënohet edhe zinxhiri furnizues i Apple-it. Nikkei Asian Revieë kujton se virusi është shpërndarë tashmë në të gjithë provincën e Hubeit, e cila ndodhet shumë pranë qendrave kryesore prodhuese të Apple-it.

Furnitorët, sipas të njëjtit burim, kanë paralajmëruar se ritmi i frikshëm i infektimeve mund të ndikojë dhe tek prodhimi. Përpos kësaj, edhe disa drejtues të këtij zinxhiri janë detyruar t`i shtyjnë udhëtimet e tyre në zonë për shkak të virusit. Bloomeberg e thekson se Iphone9 /SE 2 është veçanërisht i rrezikuar, për shkak se prezantimi i tij pritej shumë shpejt, brenda një apo dy muajsh.

Me këtë që po ndodh, nuk e imagjinoj dot një skenar ku të mos ketë ndërprerje ose vonesa të prodhimit, thotë analisti Patrick Moorhead nga Moor Insights & Strategy; Unë them se do të ketë probleme të mëdha, të cilat do të nisin që nga lënda e parë, prodhimi, testimi e dërgimi i telefonëve. Padyshim do të ketë vonesa, shton ai. Vështirësitë pritet të pllakosin edhe prodhimin e iPhone 11 dhe Airpods.

Top Channel