Ndërsa koronavirusi i ri që po prek me mijëra njerëz në të gjithë globin ka bërë që vendet të mbyllin kufijtë e tyre dhe ka drejtuar njerëzit drejt blerjes së maskave mbrojtëse më shpejt nga sa mund të prodhohen, ka një tjetër virus që po bën kërdinë.

15 milionë amerikanë janë prekur nga gripi dhe më shumë se 8200 vetë kanë humbur jetën prej tij vetëm këtë sezon, shkruan CNN. Sezoni i gripit 2019-2020 parashikohet të jetë një nga më të rëndët në një dekadë sipas institutit amerikan të alergjive dhe sëmundjeve infektive. Të paktën 140 mijë vetë janë shtruar në spitale me komplikacione nga gripi dhe numri parashikohet të rritet akoma më tek.

Gripi, thotë CNN është i zakonshëm në jetët e amerikanëve dhe sipas ekspertëve nuk duhet nënvlerësuar. Ekspertët madje parashikojnë se të paktën 12 mijë vetë mund të humbin jetën në SHBA nga gripi, çdo vit. Në sezonin 2017-2018, 61 mijë vetë humbën jetën në SHBA dhe 45 milionë të tjerë u prekën. Gripi sipas ekspertëve, është i komplikuar sepse virusi ndryshon çdo vit.

Ndonjëherë, virusi dominues në një sezon gripal mund të jetë më ngjitës se vite të tjera, çka ka ndikim tek numri i njerëzve të prekur dhe shkalla e simptomave të tyre. Përveç SHBA gripi është bërë shqetësues edhe në vende të tjera të botës me mijëra të prekur dhe viktima po ashtu.

Top Channel