Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e shpalli të enjten ditë zie në nder të pjesëtarit të vrarë të Policisë së Kosovës, Sami Thaci.

Për policin e ndjerë, kreu i shtetit ka vendosur të japë urdhrin “Hero i Kosovës” . Efektivi ndërroi jetë të martën gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit. Në të njëjtin operacion, mbetën të plagosur dhe dy policë të tjerë. Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë, Sami Thaci është personi i 21-të që ka humbur jetën në detyrë.

Gjithmonë e më shumë po ngrihen në Kosovë shqetësime lidhur me e sigurimit shëndetësor e atij të jetës për të gjithë zyrtarët e përfshirë në çështjet e rendit dhe ligjit. Krahas 21 policëve që kanë humbur jetën në detyrë, shumë i madh konsiderohet të jetë dhe numri i atyre të lënduar në të njëjtat kushte. Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e hershme, por deri tani asnjë nga qeveritë e deritashme nuk e ka përmbushur tha për REL kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli.

Rasti i fundit i vrasjes së një polici nxjerr në pah sipas tij, nevojën urgjente të sigurimeve të jetës për ta. Tasholli thotë se aktualisht e vetmja ndihmë që marrin familjarët e policëve të cilët humbin jetën në detyrë, është një përqindje e pagës mujore.

Top Channel