Ish-drejtoresha e rrugëve në SPAK/ Sonila Qato merret në pyetje për tenderin e parë të rrugës Kardhiq-Delvinë

29/01/2020 19:05

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon për ndjekje penale në Prokurori ish drejtoren e Autoritetit Rrugor Sonila Qato për abuzim 5 milionë euro me tenderin e rrugës Kardhiq- Delvin.

Pas auditimit të tenderit, KLSH ka kërkuar hetim te thelluar penal ndaj zonjës Qato duke e akuzuar se ka skualifikuar pa të drejtë ofertën më të ulët, atë të paraqitur nga kompania “Gjoka Konstruksion”.

Tenderi për lotin e 7, të rrugës Kardhiq-Delvinë, u zhvillua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në qershor të vitit të kaluar. Në garë morën pjesë 6 kompani, dhe ofertat e paraqitura prej tyre variua nga 15 deri në 19 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese ofertën më të lartë, përkatësisht atë të kompanisë italiane IRCOP, pas të cilës qëndronte kompania shqiptare vëllezërit Hysa. Kjo kompani kishte ofruar ta ndërtonte tunelin për 19 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar ose 4 milionë euro më shumë se sa oferta më e ulët e dhënë nga “Konsorciumi Cobial” dhe “Gjoka Konstruksion.

Sipas Kontrollit te Lartë të Shtetit për katër kompani skualifikmi ka qenë i drejtë pasi nuk përmbushnin kriteret, ndërsa oferta më e ulët ajo e “Konsorciumit të Cobial” dhe “Gjoka” është skualifikuar në kundërshtim me ligjin. Demi sipas KLSH vlerësohet plot 5 milion euro duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Përplasjet për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, patën çuar ne largimin e zonjës Qato nga drejtimi i ARRSH pak muaj me parë. Ky është kallëzimi i dytë penal ndaj zonjës Qato, pasi më parë ajo është kallëzuar penalisht edhe nga kompania “Gjoka Konstruksion”, një dosje që tani ka kaluar për hetim në SPAK./Klodian Tomorri/

Top Channel