Çfarë i shqetëson adoleshentët? Psikologët tregojnë fenomenet e dëmshme mes të rinjve

29/01/2020 20:47

Bullizmi, duhani, alkooli, seksi dhe rebelimi janë disa nga çështjet që preokupojnë adoleshentët sot. Ermilinda Zgjana punon si psikologe shkollore në tre institucione arsimore.

“Lënia e orëve të mësimit, mosrespektimi i rregullave, pirja e duhanit sidomos nga djemtë, pasi ndihen më burrërorë, kundërshtimi i autoritetit të mësuesit dhe prindit, janë ato me të cilat hasemi në përditshmërinë e punës sonë. Bulimia dhe anoreksia janë gjithashtu problem për vajzat sot”, shprehet Ermilinda Zgjana, Psikologe shkollore.

Shumica e adoleshentëve që trokasin në derën e psikologes janë të vetëdijshëm për problemin dhe të gatshëm ta zgjidhin. Nga përvoja e saj Zgjana na tregon edhe raste ekstreme.

“Raste që kanë menduar edhe vetvrasjen. Vajza 14 vjeçare thoshte se do të vetëvritej, pasi nuk ndihej e bukur, nuk fliste bukur dhe nuk ndihej e përshtatshëm për këtë shoqëri”, shprehet më tej.

Adoleshenca është një moshë e vrullshme. Mbyllja në vetvete dhe problemet me gjumin e ushqimin janë të shprehura.
“Marrëdhëniet seksuale i nisin që 14 apo 15 vjeç, si djemtë edhe vajzat, por djemtë i tregojnë më lehtësisht. Madje vajzat filmojnë veten dhe ua tregojnë shoqeve, si për t’u dëshmuar se ai djalë, ose vajzë tashmë është me të, i përket atij ose asaj”, thotë ajo.

Top Channel