Bie nga pallati, humb jetën roja/ Arrestohen dy persona përgjegjës në Durrës

29/01/2020 16:31

Administratori dhe inxhinieri i një kompanie ndërtimi në Durrës, në objektin e së cilës humbi jetën 62-vjeçari Thoma Rusa, u arrestuan nga policia për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

Sipas policisë vendore, të arrestuarit rrezikojnë të dënohen me 10 vjet burg, nëse vërtetohet fajësia e tyre për këtë vepër penale që shkaktoi vdekjen e një personi si pasojë e mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik dhe mbrojtjes në punë. Rusa punonte si roje objekti dhe ka rënë nga kati dytë i një godine në kompleksin turistik që po ndërtohet në zonën e Currilave, në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar.

Dyshohet se në përpjekje për të dalë nga objekti, pas lëkundjeve sizmike që goditën Durrësin rreth orës 21.15 të natës së 28 janarit, Rusa ka rënë në një hapësirë boshe të pasiguruar nga zbatuesit e projektit. Për pasojë, 62-vjeçari ka humbur jetën. Lidhur me ngjarjen u vunë në pranga administratori 47-vjeçar dhe inxhinieri 43 vjeç i “DCI Company”, që po zbaton projektin për ndërtimin e resortit turistik në kodrën e Currilave.

Top Channel