Rrëzohet avioni amerikan/ Mjet i ushtrisë amerikane, por s’dihen viktimat

28/01/2020 12:19

Misteri për një avion të rrëzuar në provincën e Ghaznit, në lindje të Afganistanit, që kontrollohet nga talebanët, ka vijuar për orë të tëra.

Vetëm në mbrëmje Pentagoni sqaroi çfarë kishte ndodhur, ose e bëri këtë pjesërisht. Avioni i rrëzuar i përkiste forcave amerikane dhe bëhej fjalë për një bombardier E11A që përdorej për të dhënë në kohë reale informacione mbi fushëbetejat.

Nuk është folur asgjë për viktima të mundshme. Misteri në orët e para, kishte shtyrë kompaninë ajrore lokale “Ariana Afgan Airlines” dhe aviacionin civil të kabulit të mohonte një variant të shpërndarë më parë, sipas të cilit ishte rrëzuar një avion komercial. Gjatë ditës ndërkohë, talebanët bënë të ditur se bëhej fjalë për një avion të zbulimit amerikan, siç edhe rezultoi më vonë.

Avioni u rrëzua rreth orës 13 sipas orës lokale – sqaroi zëdhënësi i policisë rajonale të Ghasnit, duke shtuar se zona nuk ishte e sigurtë për shkak të pranisë së talebanëve, çka edhe vështirëson dërgimin e skuadrave të shpëtimit dhe hetuesve. Qeveria e Kabulit, dërgoi në vendngjarje një kontigjent forcash speciale ndërkohë që mbetet i paqartë shkaku i aksidentit. Një zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan ndërkohë ka nënvizuar se për momentin nuk ka të dhëna se avioni është rrëzuar nga zjarr armik.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel