Ministria e Shëndetësisë e Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në botë në lidhje me pneunominë virale koronavirus.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Uran Ismaili, gjatë një takimi sot me krerët e institucioneve relevante shëndetësore në vend është njoftuar rreth situatës aktuale me koronavirus dhe kërkoi nga mekanizmat shtetërorë e institucionalë që të jenë në gatishmëri në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka konfirmuar se në Kosovë nuk ka asnjë rast me koronavirus dhe se rrezikshmëria për këtë virus në vendin tonë është e ulët, ndërsa drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, konfirmoi se janë të gatshëm për menaxhimin e rasteve eventuale dhe përcjelljen e situatës.

Gjatë kësaj jave ministri Ismaili do të ftojë edhe Komitetin Nacional për sëmundje ngjitëse për të diskutuar situatën dhe nivelin e gatishmërisë.

Institucionet shëndetësore në Kosovë sigurojnë të gjithë qytetarët se janë duke marrë të gjitha masat adekuate, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Top Channel