Procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, po përballet me probleme të shumta mes qytetarëve të dëmtuar, kompanive të ndërtimit dhe pushtetit vendor.

Media shihet si e vetmja mundësi për të ngritur zërin dhe kërkuar të drejtën e tyre, teksa burokracitë dhe vonesat në vendimmarrjen për godinat e tyre, apo marrjen e bonusit po krijojnë konflikte të reja, siç po ndodh edhe me banorët e këtyre pallateve në zonën e plazhit, një nga më të dëmtuarat nga tërmeti.

“Mosmarrëveshje mes banorëve, pronarëve të pallateve dhe ekspertëve që kanë ardhur. Në bashki më thonë që duhet të bëj pashaportizimin në Durrës që të përfitoj bonus… Unë taksat i paguaj të gjitha, ndaj kërkoj që të riparohet dyqani. Kam dhe shtëpinë në kat të tetë dhe ka hyrë uji brenda. Pallati që në fillim është bërë i shtrembët. Tërmeti e shkatërroi fare”.

“Bonus nuk ka marrë asnjë deri më sot. Shtëpia ime është e dërrmuar komplet. Unë e pastrehë dhe pa bonus, ndërsa qeveria thotë se shtëpia ime është e rregullt. Askush s’ka shfaqur interes. Pallati bie copa-copa”.

Banorët presin një ekspertizë të re dhe të thelluar, ndërsa nuk kanë gjetur ende një sistemim për strehimin e tyre. Madje disa janë futur sërish në apartamentet e pabanueshme.

“Na kanë thënë se do të vijmë t’i shohim tani, po nuk ka ardhur asnjë. Ngelëm rrugëve”.

“Na çuan në hotel dhe na përzunë nga hotelet”.

“Kemi vajtur te shtëpitë e prishura, pasi nuk kemi lekët e bonusit. Vetëm mediat kanë ardhur. Askush tjetër. Të gjithë po kthehemi në shtëpitë e prishura”.

“Gjithçka është shkatërruar dhe te pallati im dhe askush nuk ka ardhur. Jemi të interesuar për shtëpitë tona”.

Edhe pse në Durrës, pas këshillimit me prokurorët italianë, kanë nisur të inspektohen sërish nga prokuroria 244 godina të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në qytet dhe zonat e tjera periferike të tij qytetarët e tij nuk janë në dijeni se çfarë po bëhet me banesat e tyre dhe a janë në listën e objekteve që do të inspektohen përsëri për të shuar përplasjet që kanë krijuar gjetjet e ekspertëve dhe akt ekspertizat që kundërshtojnë njëra-tjetrën./Vali Qyrfyci/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA