Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, në ditën e fundit të ultimatumit për Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me formimin e koalicionit qeverisës, është deklaruar përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV-në udhëheqëse të Qeverisë e LDK-në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit.

“Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re”, shkruan Haziri.

Për më tepër, numri dy i LDK-së thotë se e kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se “ne jemi gardianë të interesave të kësaj republike përmes LDK-së dhe vetëm përmes LDK-së, derisa partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë”.

“Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë. Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+”, porosit Haziri.

Ndryshe, kohë më parë kryetari i LDK-së Isa Mustafa i ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje ultimatum deri sot për formimin e koalicionit qeverisës, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA