Një 83 vjeçar me inicialet S.M ka vdekur si pasojë e plagëve të marra në një aksident trafiku. Sipas Policisë, këmbësori është goditur nga një veturë mbrëmë në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për KosovaPress, se mbrëmë rreth orës 18:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, segmenti në dalje të Vushtrrisë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore, ku një veturë ka goditur një këmbësorë.
“Këmbësorit të lënduar ndihma e parë i është dhënë në spitalin e Vushtrrisë, ndërsa më pas është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Ndërsa sot në ora 05:00 të datës 26 janar, nga QKUK është njoftuar se i lënduari viktima S .M., 83 vjeçar, ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur nga pakujdesia e drejtuesit të automjetit, të cilit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, tha ai.
Top Channel