Fundi i kësaj jave ishte edhe koha e fundit për arritjen e koalicionit qeverisës mes dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit. Të paktën kështu kishte deklaruar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ky i fundit të martën ka thënë se mbeten të përkushtuar që të punojnë për marrëveshje, e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar.
I pari i LDK-së madje kishte deklaruar se marrëveshja do të bëhet deri në fund të kësaj jave ose do të konstatohet se s’ka kushte.
Mustafa: Marrëveshja deri në fund të kësaj jave ose të konstatojmë se s’ka kushte
“Mendojmë se marrëveshja do të qetë në pah një qeveri të balancuar dhe përgjegjësi të balancuara ndërmjet dy palëve në harmoni me atë që qytetarët e Kosovës na kanë dhënë besimin me votën e tyre ne si LDK me 28 deputetë dhe LVV-së me 29 deputetë. Ne kemi dhënë një propozim që është shumë i balancuar që LVV duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë dhe mbetemi që të bisedojmë, por që ajo të ketë një përfundim sa më shpejt mundësisht deri në fund të kësaj jave, që të bëjmë marrëveshje ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, tha Mustafa.
Megjithatë edhe deri në ditën e fundit të kësaj jave, të paktën zyrtarisht nuk është mbajtur asnjë takim mes LVV-së e LDK-së. Si duket deri në këto momente nuk ka asnjë lëvizje rreth një takimi të mundshëm sot.
Nga Lëvizja Vetëvendosje bëjnë me dije se ‘nuk kanë asnjë informacionin në këtë drejtim’. Kështu ka konfirmuar për KosovaPress, zëdhënësi për media i kësaj partie, Arlind Manxhuka. Ndërsa, zyrtarë nga Lidhja Demokratike të Kosovës, nuk i janë përgjigjur telefonatave tona.
Dy ditë më parë u raportua në media për një takim në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës në shtëpinë e këtij të fundit në Prapashticë.
Ndërkohë, kanë kaluar 112 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe LVV doli fituese. Kjo parti tash e tre muaj negocion me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një marrëveshje që do të rezultonte me koalicion qeverisës. Afati kushtetues për formimin e Qeverisë së Kosovës po rrjedh, ndërkohë që kanë mbetur edhe nëntë ditë për mandatarin Albin Kurti që të arrijë marrëveshje me partitë politike për përbërjen e kabinetit qeveritar.
Top Channel