Një motër dhe dy vëllezër nga  Kosova, me nënë shqiptare dhe baba kosovar, kishin 2 vjet pa pasaportë dhe shtetësi shqiptare, për shkak të një gabimi të bërë nga punonjësi i gjendjes civile, Lukovë. Në sistem ata figuronin si shtetas kosovarë, ndërsa në regjistër i kishin të dyja shtetësitë. Në bazë të ligjit dhe kushtetutës, fëmija i lindur nga një prind  shqiptar,  automatikisht përfiton shtetësinë.

Fiks Fare trajtoi rastin e fëmijëve Makovci, të cilët kishin dy vite pa pasaportë edhe shtetësi shqiptare pasi në sistemin e gjendjes civile, punonjësi i kishte regjistruar vetëm si shtetas të Kosovës. Duke i mohuar kështu të drejtën e shtetësisë dhe rinovimin e pasaportave dhe mjeteve të identifikimit. Ky gabim mendohej të ishte bërë gjatë kalimit të të dhënave nga regjistri në sistem, në vitin 2010.

Gjatë kësaj periudhe ata janë sorollatur nga njëri institucion në tjetrin  dhe askush nuk i kishte dhënë zgjidhje. Punonjësi aktual i gjendjes civile edhe pse në regjistër i kishte këta fëmijë të regjistruar, dhe ata kishin marrë një herë pasaportë, nuk pranonte që gabimi duhej ndrequr prej tij. Ai me gjysmë zëri pranonte që ky gabim mund të ishte bërë gjatë hedhjes së të dhënave në sistem në  2009. Ish punonjësi që tani është shkarkuar nga detyra për shkelje,  nuk i kishte hedhur tre fëmijët në sistem, por i kishte lënë vetëm me shtetësinë Kosovare.

Njëra nga fëmijët, Valbona Makovci, kishte kontaktuar me Fiksin nëpërmjet numrit të telefonit.  Ajo bashkë me dy vëllezërit, Burimin dhe Bekimin, u nisën menjëherë drejt Shqipërisë  sapo u  kontaktuan nga Fiksi. Gjatë intervistës ajo shprehet se  zyra e gjendjes civile Lukovë  është duke i mohuar asaj dhe vëllezërve atë që i takon me ligj dhe kushtetutë. Të drejtën e shtetësisë shqiptare. Të drejtë që e kanë fituar që në lindje. Ajo gjithashtu thotë se nuk e kupton absurditetin e shtetit shqiptar ku minimumi nuk të njoftojnë që është ky problem. “Pasi gjithë këto vite ne kemi ushtruar të drejtën e votës, kemi udhëtuar me pasaportat që kishim. Tani nuk figurojmë në sistem qysh prej vitit 2010.”thotë ajo.  Deri më tani nuk kanë marrë asnjë zgjidhje edhe pse kanë trokitur në shumë dyer.

Fillimisht Valbona u ballafaqua e vetme me punonjësin e gjendjes cilvile Lukovë. Ai i thotë se as ai, dhe as punonjësi para tij nuk kanë bërë asnjë ndryshim në sistem, këtë problem duhet ta gjej tek kompania. Kur Valbona i tregon se në bazë të çertifikatës të nxjerrë nga sistemi on line ajo dhe vëllezërit nuk figurojnë në çertifikatën familjare, punonjësi i thotë se nuk e di çfarë drejtimi t’i japë pasi ndryshimet ai i bën vetëm në rastin e një vendimi nga drejtoria. Ai gjithashtu i këmbëngul faktit që në sistem tre fëmijët nuk janë të bllokuar.

Por, në një ballafaqim para kameras së Fiksit punonjësi nuk përmend as gabimin që mund ta ketë bërë kompania dhe as faktin që ata sipas tij janë në sistem. Ai nuk e pranon që gabimi është bërë nga zyra, pavarësisisht se nuk është bërë nga ai vet, duke thënë se pa një vendim, ai nuk bën dot asnjë ndryshim. Ai nxjerr regjistrin dhe tregon se në regjistër  fëmijët janë të regjistruar, dhe nuk ka asnjë shënim shtesë,por në sistem nuk janë. Gjithashtu ai  nuk pranon të bëj ndryshime në sistem, pasi sipas tij nuk është ai që duhet t’i bëj. Informacioni që i ka kërkuar  drejtorisë së përgjithshme me e-mail nuk i ka mbërritur akoma.

Por Fiks Fare nuk e la me kaq. Pasi u interesuan në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile kjo e fundit u vu menjëhere në lëvizje dhe brenda ditës urdhëroi përgjegjësin e Lukovës që të bënte hedhjen e te dhënava në sistem në bazë të regjistrit. Sipas tyre, një shkresë përcjellëse për zgjidhjen e këtij problemi, ishte nisur edhe në nëntor, pas ankesës së qytetares. Por mesa duket kjo shkresë nuk ka mbërritur asnjëherë në destinacion. Brenda pak orësh regjistrimi i tyre u bë nga punonjësi i zyrës së Lukovës, i njëjti që thoshte se nuk e bënte dot.

Në një intervistë  për Fiksin specialistja  e Zyrës së DPGJC  Enkeleda Shpuza , tregon se ishin njohur me rastin që në Tetor,dhe brenda muajit nëntor duhet të ishte bërë regjistrimi pasi shkresa ishte nisur. “Sot që erdhët ju kuptuam që shkresa nuk ka vajtur, nuk e dimë pse, megjithatë u urdhërua të bëhej regjistrimi menjëherë.” thotë ajo, duke theksuar që gabimi ishte bërë nga ish punonjësi i gjendjes civile i cili nuk i kishte hedhur në sistem. Fiks Fare, sipas fëmijëve i dha zgjidhje për dy ditë një problemi, për të cilin ata ishin sorrollatur 2 vjet.

Top Channel