Ndryshimet e klimës do të shkaktojnë zhvendosjen e miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre, dhe bota duhet të përgatitet për këtë situatë, paralajmëron Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR).

Kreu i saj, Filippo Grandi, deklaroi se Kombet e Bashkuara gjatë kësaj jave kanë dalë në përfundimin se personat që largohen nga vendi i tyre për shkak të ndryshimeve të klimës, meritojnë mbrojtje ndërkombëtare. Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara, siç thotë REL, e mori këtë vendim të hënën, në lidhje me shtetasin e Kiribatit, Ioane Teitiota, i cili ngriti padi kundër Zelandës së Re, pasi autoritetet atje i mohuan kërkesën për azil.

“Aktvendimi thotë nëse përballeni me një kërcënim të menjëhershëm ndaj jetës suaj për shkak të ndryshimit të klimës, për shkak të urgjencave klimatike dhe nëse kaloni kufirin dhe shkoni në një vend tjetër, nuk duhet të dëboheni, pasi në një rast të tillë ju do të rrezikonit jetën, ashtu siç ndodh në luftë apo në një situatë persekutimi”, tha Grandi për Reuters.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për një numër të madh njerëzish që lëvizin kundër vullnetit të tyre”, shtoi ai.

Autoritetet theksojnë se rreziqet potenciale përfshijnë zjarret, si këto të fundit që lanë pas një vazhdë shkatërrimesh në Australi, rritjen e niveleve të detit që prek ishujt me sipërfaqe të ulëta, shkatërrimin e të korrave apo bagëtive në Afrikën nën-Sahariane si dhe përmbytjet në të gjithë botën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA