Gjoba edhe për këmbësorët/ Nisma për të ndryshuar ligjin. Nuk respektojnë asnjë sinjalistikë

22/01/2020 15:15

Në rrugët e Tiranës, krahas shoferëve të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, nuk mungojnë as këmbësorët të cilët bëhen palë me shkelësit.

Në këtë semafor që po shihni, të cilin ne e vëzhguan për disa minuta, kishte me dhjetëra qytetarë të cilët në vijat e bardha kalonin me semafor të kuq.

Këta janë qytetarë të cilët rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre, duke u treguar të paduruar e duke i prerë rrugën qarkullimit të automjeteve

Së fundmi, policia rrugore dhe Ministria e Brendshme, kanë dal me një sondazh online ku po pyesin qytetarët nëse duhet rritur masa ndëshkuese për këmbësorët të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Eksperti rrugor Artur Sulçe thotë se për këtë nismë jemi ende në kohë.

“Drejtuesi i mjetit dhe këmbësori quhen përdorues rruge, atëherë edhe normat e sjelljes që janë përcaktuar në kodin rrugor, duhet të zbatohen nga të gjithë këta përdorues rruge. D.m.th, po bëhet një përpjekje për të zbatuar ligjin, këtë duhet të kuptojmë”, shprehet Artur Sulçe.

Krahas masave ndëshkuese, duhet të përfshihen një sërë aktorësh që të ndërgjegjësojnë këmbësorët.

“Edhe puna që duhet bërë, me aktorët që lidhen me aksidentet rrugore, nëpërmjet fushatave, nëpërmjet posterave, nëpërmjet reklamave, të gjitha me radhe, duhet t’ia bëjmë të ditur qytetarëve dhe çdo përdoruesi të rrugës, se si duhet të sillet në rrugë”, shton Sulçe./Andi Bora/

Top Channel