Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar “profetët e apokalipsit” të klimës në fjalimin e tij në forumin ekonomik botëror të Davosit ku ambjenti është tema kryesore.

Ai apeloi për një refuzim të parashikimeve për apokalips dhe tha se Amerika do të mbrojë ekonominë e saj. Shkatërrimi i ambjentit është në krye të agjendës në samitin e përvitshëm të vendimmarrësve të botës, që mbahet në resortin zviceran të skive. Trump, në fjalimin e tij, tha se ishte koha për optimizëm, jo për pesimizëm. Më tej ai renditi të gjitha arritjet ekonomike të administratës së tij dhe foli për atë që e quajti bumin energjitik të Amerikës.

“Ëndrra amerikane është kthyer, më e madhe, më e bukur dhe më e fortë se më parë. Kjo nuk është koha për pesimizëm. Është kohë për optimizëm. Frika dhe dyshimi nuk bëjnë mire”, është shprehur Trump.

Duke folur për aktivistët e klimës, ai tha: Ata alarmistë gjithnjë kërkojnë të njëjtën gjë, fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetës sonë. Trump nuk përmendi në mënyrë direkte aktivisten adoleshente të klimës, Greta Thunberg, e cila ishte në audiencë, por më vonë, kjo e fundit, iu drejtua me një gjuhë të ashpër liderëve politikë, duke thënë: Në rast se nuk e keni vënë re, bota është aktualisht në flakë.

“Pyes veten, çfarë do tu thoni fëmijëve tuaj kur t’ju pyesin se cili është shkaku i dështimit tuaj dhe për se i latë ata të përballen me kaosin klimaterik, duke e ditur se ju jeni shkaktarët? Shtëpia jonë është në flakë. Mosveprimi juaj ushqen flakët. Është koha për të vepruar”, u shpreh Greta Thunberg.

Edhe pse vendet e botës, përmes marrëveshjes për klimën të nënshkruar në Paris, janë angazhuar ti mbajnë temperaturat nën 2 gradë mbi ato të kohëve para industriale, shkencëtarët thonë se ata janë larg këtij objektivi. Toka, sipas ekspertëve, po shkon drejt një rritjeje temperaturash prej 3 gradësh mbi ato para industriale dhe se vetëm një ndryshim i shpejtë, i paprecedentë në të gjitha aspektet e shoqërisë, do të mund të bënte dallimin.

Top Channel