Fustanet e gjatë e të derdhur ishin kryefjala e tapetit të kuq të SAG Awards.
Edicioni i 26-të i Screen Actors Guild Awards mblodhi bashkë në një vend yjet më të mëdhenj të Hollywood-it për të kremtuar filmat dhe serialet më të mirë televizivë të vitit.
Por ashtu siç ndodh rëndom, vëmendja u përqendrua edhe te veshjet e VIP-ve, mes të cilëve spikati fort Jennifer Aniston. Të gjithë sytë u kthyen nga aktorja 50-vjeçare dhe fustani i saj i bardhë Dior, që ishte një mishërim i thjeshtësisë, bukurisë dhe elegancës.
Aniston kryeson listën e të veshurave më mirë në SAG Awards së bashku me Scarlett Johansson, Jennifer Lopez dhe Charlize Theron. 35-vjeçarja Scarlett ishte dhe ajo mahnitëse me fustanin ngjyrë smeraldi nga Armani Privé, hijeshinë e të cilit e plotësonte dekolteja e thellë dhe rripat me gurë të shndritshëm në pjesën e kurrizit. Jennifer Lopez preferoi të ecte me ngjyrën e sigurt të zezë, por edhe eleganca e saj nuk kaloi pa u vënë re.
Charlize po ashtu e meritoi plotësisht statusin e yllit me veshjen prej dy pjesësh nga Givenchy Haute Couture. Lista e veshjeve më të bukura përfshiu ndër të tjera dhe atë të Reese Witherspoon e Glenn Close. Një trend tjetër mjaft popullor në tapetin e kuq të SAG Awards ishin dhe fustanet ngjyrë argjendi, që kanë preferuar të mbajne emra të njohur si Dakota Fanning, Jane Seymour dhe Catherine Zeta-Jones.
Top Channel