Vendimi për kompensimin e shtëpive/ Të dëmtuarit nga tërmeti do përfitojnë në bazë të anëtarëve të familjes

18/01/2020 14:53

Familjet që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti I 26 nëntorit nuk do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe që kanë patur, por do të dëmshpërblehen me banesa sipërfaqja e të cilave bazohet në numrin e anëtarëve.

Përmes një korpusi vendimesh të njëpasnjëshme, qeveria ka zyrtarizuar rrugët se si do të dëmshpërblehen familjet e dëmtuara nga tërmetit.

Familjet me dy anëtarë, banesa e të cilave është shembur do të përfitojnë apartament 1 plus 1 me sipërfaqe që varion nga 45 deri në 60 metër katrorë. Kur familja ka deri në katër anëtarë, përfiton apartament 2+1 me sipërfaqe që varion nga 75 deri në 80 metër katrorë. Ndërsa për familjet me 5 antarë e sipër qeveria do të japë apartament 3+1 me sipërfaqe nga 90 deri në 100 metër katrorë.

Këto sipërfaqe përfitohen kur lagjet e reja do të jenë të përbëra nga pallate. Në rastin kur lagjet e reja do të ndërtohen me shtëpi individuale, atëherë familjet me dy anëtarë marrin shtëpi private 60-70 metër katrorë. Ato me 4 anëtarë do të marrin shtëpi 70-80 metër katrorë. Ndërsa familjet me 5 anëtarë e sipër do të përfitojnë shtëpi private jo më pak se 90 metër katrorë.

Këto janë përfitimet për familjet banesat e të cilave janë shembur. Për banesat e dëmtuara rëndë, që janë shpallur të pabanueshme, por mund të riparohen, do të ketë kompensim me para në dorë.

Sipas vendimit të qeverisë, banesat të cilat janë dëmtuar rëndë dhe kanë rrezik të shemben në të ardhmen do të përfitojnë rikonstruksion të plotë nga qeveria. Për familjet, banesat e të cilave kanë dëmtime thelbësore në mure, por të moderuara në strukturë, qeveria do të japë deri në 500 mijë lekë. Ato familje, banesat e të cilave kanë dëmtime të lehta në strukturë do të përfitojnë 250 mijë lekë. Ndërsa familjet, banesat e të cilave nuk kanë dëmtime në strukturë, por kanë çarje në mure do të marrin 100 mijë lekë dëmshpërblim.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA