Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i bëri thirrje Europës që të mbështesë përpjekjet e vendit të tij në Libi, me qëllimin të arrihet fundi i konfliktit ne vendin e përfshirë nga kaosi.

Turqia po i ofron mbështetje ushtarake qeverisë libiane, që njihet ndërkombëtarisht. Erdogan i bëri këto komente në një rubrikë të publikuar tek Politico, vetëm një ditë përpara samitit të Berlinit, ku do të bëhen përpjekje për stabilizimin e rajonit. Në këtë takim pritet që Gjermania dhe Kombet e Bashkuara të kërkojnë nga palët rivale në Libi, të cilat luftojnë për kontrollin e kryeqytetit, Tripoli, të bie dakord për një marrëveshje armëpushimi, hapi I parë ky drejt vulosjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Turqia mbështet qeverinë e Fayez al-Serraj në Tripoli dhe thotë se gjenerali Khalifa Haftar, që udhëheq Ushtrinë Kombëtare Libiane të rebelëve, është person që po kërkon të bëjë puç shteti.

“Duhet pasur parasysh se Europa është më pak e interesuar që t’i ofrojë mbështetje ushtarake Libisë dhe zgjidhja është që të punojë me Turqinë, që tashmë ka premtuar ndihmë ushtarake. Ne do t’i trajnojmë forcat libiane të Libisë dhe do t’i ndihmojmë që të luftojnë terrorizmin, dhe trafikimin e qenieve njerëzore”, shprehet presidenti turk.

Samiti i së dielës në Berlin pritet t’i bëjë presion Haftarit dhe luftëtarëve të tij, që të ndalojnë ofensivën në Tripoli. Haftar dhe Serraj pritet që të jenë të pranishëm në Berlin, së bashku me liderët nga Turqia, Rusia, Egjipti, vendet perëndimore dhe fuqitë arabe. Konflikti në Libi ka nisur që prej rënies nga pushteti të Muammar Gaddafit më 2011.

Top Channel