Në zonat rurale të Tiranës, dëmet nga tërmeti janë të konsiderueshme. Shumë familje kanë mbetur ende jashtë banesave dhe jetojnë akoma në çadra verore, edhe pse temperaturat kanë filluar të shkojnë në minus. Në zonën e Ndroqit shumë banesa janë ende të pavlerësuara nga Inspektoriati i Ndërtimit.

Fondet e dhëna për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i shtatorit shumë familje i kanë refuzuar. Ndërkohë nuk është bërë akoma vlerësimi për dëmet e tërmetit të nëntorit.

Fiks fare ishte në zonën e Ndroqit në Tiranë ku rreth 120 familje kanë mbetur në qiell të hapur që prej tërmetit të shtatorit. Rreth 10 prej tyre kanë kërkuar bonus qiraje, por nuk u është miratuar. Shumë prej tyre jetojnë në çadra verore të përshtatura për këto ditë të ftohta dimri. Disa familje kanë refuzuar të marrin dëmshpërblimin për tërmetin e shtatorit, pasi pagesa nuk mbulon dot as çerekun e dëmeve që mund të kenë banesat e tyre.

Në lagjen e re Ndroq, jetojnë nën të njëjtin kulm tre vëllezër të familjes Elezi. Ana e shtëpisë të njërit prej tyre në vitin 2013 ish shpallur e pabanueshme, pasi kishte pësuar rrëshqitje dheu. Në atë kohë kjo familje, edhe pse në trung me dy të tjera, pra nën një çati kishin marrë mbi 10 milion lekë për rindërtim. Sipas nuses së shtëpisë me dëmet e tërmetit të nëntorit nuk i takon më asnjë lekë, madje nuk u kanë plotësuar as dosjen, pasi nuk lejohet të marrësh dy herë dëmshpërblim për të njëjtën banesë. Ndërkohë që dy vëllezërit e tjerë, që janë nën të njëjtën çati e themel , u është plotësuar dosja dhe pritet të marrin dëmshpërblim nga tërmeti.

Valbona Bulku, nga e njëjta lagje tregon se për ta rregulluar shtëpinë pas tërmeti të shtatorit kishin shpenzuar 6 milion lekë, të marra kredi dhe borxh nga familjarët. Shtëpi që ka dalë e pabanueshme me tërmetin e dytë, ndërsa me të parin është vlerësuar më pak se 2 milion lekë. Frika ka bërë që të mos jetojnë më aty, pasi sipas saj ekspertët që kanë vlerësuar shtëpinë nuk e kanë lënë me shkrim që banesa është e sigurtë.

Të lindësh në çadër verore, e të jetosh aty mes mjerimit me katër fëmijë. Kjo është historia e një nëne e cila deri një ditë para se te lindte fëmijën e katërt priste dru tek toka për të mbajtur fëmijët ngrohtë në çadër.

Bashkë me tre fëmijët e saj, nëna jeton në një, çadër verore, e cila është përshtatur në ditë dimri me një sobë brenda. Aty flinte nëna shtatëzanë në muajin e nëntë, me tre fëmijë të vegjël edhe vjehrrin. Burri fle në shtëpinë e rrënuar nga tërmeti. Ata janë në gjendje të mjeruar, dhe jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike. Në tërmetin e parë shtëpia e tyre, doli e pabanueshme dhe u dhanë vetëm 900 mijë lekë të vjetra. Lekë të cilat kanë refuzuar që t’i marrin pasi nuk mund të rregullojnë dot asgjë me aq pak lekë. Babai i fëmijëve tregon mes lotësh që i refuzuan ato lekë, pasi nuk u dilnin për asnjë gjë. “Shtëpia nuk mund të rindërtohet me aq lekë” shton ai.

Nëna e fëmijëve të cilën e gjetëm me sharrën e hedhur në kurriz, duke ardhur bashkë me fëmijët dhe të shoqin nga toka, ku kishën bërë pak dru, mbytet në lot kur mendon se nesër do t’i duhet të sjellë foshnjën në çadër. Ajo tregon se shumë të afërm i kanë thënë që ta lërë foshnjën në spital, por ajo tregon se nuk mundet kurrë të ndajë fëmijët e saj pavarësisht kushteve.

Në një intervistë për Fiksin një nga specialistet e zyrës së urbanistikës Ndroq u shpreh se në çadra janë rreth 120 familje, shumica e çadrave janë verore. Deri tani akoma nuk ka përfunduar shpërndarja e fondeve nga tërmeti i parë, dhe akoma nuk është bërë vlerësimi për tërmetin e dytë edhe pse kanë më shumë se dy javë që i kanë bërë kërkesë Inspektoriatit të Ndërtimit për të vlerësuar nëse banesat janë të banueshme apo jo. Ata vet, nuk kanë staf që të bëjnë të tilla vlerësime. Për asnjë nga këto familje nuk është miratuar bonus qiraje.

FOTO GALERI
7/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA