Shtetet e Bashkuara dhe Kina nënshkruan pjesën e parë të marrëveshjes që synon t`i japë fund konfliktit tregtar mes dy vendeve, i cili ka tronditur tregjet e ka goditur ekonominë globale.

Duke folur në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump tha se pakti do të ishte “transformues” për ekonominë e SHBA-së. Ai e quajti “pakti më i rëndësishëm që është parë ndonjëherë”. Por në Kinë thotë the Guardian, vulosja e marrëveshja nuk është trumpetuar shumë, e zyrtarët vendas dhe mediat shtetërore i janë referuar me tonë më të rezervuara. Ekonomisti Shen Hong mendon se Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një fitore të vogël.

Nëse lufta tregtare do të kishte vazhduar, shprehet ai, padyshim situata do të kishte qenë tejet e pafavorshme për Kinën. Si pjesë e marrëveshjes, Pekini është zotuar të rrisë importet e SHBA-së me 200 miliardë dollarë mbi nivelet e vitit 2017, dhe të forcojë rregullat e pronësisë intelektuale. Në këmbim, Amerika ka rënë dakord të përgjysmojë disa nga tarifat e reja të vendosura mbi produktet kineze. Vëzhguesit thonë se përgjigja e heshtur e Kinës nuk nënkupton se Pekini nuk e sheh këtë si një kapitull, por ndonëse përpiqet ta përshkruajë si një situatë nga e cila fitojnë të gjithë, sërish e ndjen disavantazhin.

Shtetet e Bashkuara filluan një luftë tregtare kundër Pekinit një vit e gjysmë më parë, pasi e akuzuan për praktika të padrejta të tregtisë, si vjedhja e pronës intelektuale amerikane dhe subvencionet shtetërore të cilat i përfitojnë kompanitë kineze./ Irida Vasia/

Top Channel