Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul, e ka përshëndetur nismën e re të pozitës dhe opozitës së bashkuar në Shqipëri për reformimin e ligjit zgjedhor.

“Dialogu i hapur dhe gjithëpërfshirës, për të cilin është rënë dakort mes të gjitha forcave politike, është një hap i rëndësishëm për hartimin e reformës së re zgjedhore, e cila duhet të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it, siç e ka kërkuar dhe Bundestag-u gjerman në rezolutën e tij të 26 shtatorit 2019. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që në këtë frymë mbipartiake të përfundojnë me sukses punën ende të vështirë për reformimin e ligjit zgjedhor”, tha ai.

Deputeti kristiandemokrat, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor të kësaj partie në Bundestag, i bëri këto komente në një intervistë ekskzluvive për DW.

Vënia në vijë e reformës zgjedhore, ishte, krahas plotësimit të stafit të nevojshëm për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, një nga dy kushtet e vëna nga Bundestagu gjerman për fillimin e procesit të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE. Sado i mirëpritur është ky kompromis, ai deri tani ka zgjidhur vetëm çështjen procedurale.

Tani, siç bëhet e ditur nga qarqet kristiandemokrate dhe kristiansociale, Bundestagu do të shohë edhe përmbajtjen që do të dalë nga kjo marrëveshje.

Kushti i dytë i rezolutës së parlamentit gjerman kërkon që reforma zgjedhore të bëhet në përputhje me kushtet e OSBE/ODIHR-it, por edhe që ligji i ri të garantojë një “financimin transparent të partive dhe fushatave zgjedhore” e të marrë parasysh rezultatet e komisionit “ad hoc” për reformën dhe rekomandimet e ODIHR-it, të 5 shtatorit 2019. Bundestagu sakaq ka vendosur edhe shtatë kushte të tjera që duhen plotësuar deri në hapjen e kapitullit të parë të negociatave.

Top Channel