Komisioneri për Zgjerimin: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE

15/01/2020 20:38

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, do të qëndrojë sot dhe nesër në Shkup dhe Tiranë – në vizitën e parë në rajon.

Nga Shkupi ai është shprehur se Shqipëria dhe Maqedonia janë gati për të hapur negociatat me BE-në. “Nuk ka ndryshim nga qëndrimi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE.

Duhet patjetër të punojmë edhe më tepër për të vlerësuar se Maqedonia Veriut dhe Shqipëria duhet t’i fillojnë negociatat për anëtarësim. Nuk ka ndryshim nga ky qëndrim dhe mbetemi të përkushtuar. Duhet patjetër t’i fillojmë negociatat me këto dy vende. Para Samitit të Zagrebit patjetër duhet të kemi vendim pozitiv nga Këshilli Evropian’, tha ai.

Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian se ato i kanë përmbushur kushtet. Vendimi është bllokuar nga Franca, e cila ka kërkuar reforma të mëtejshme nga dy vendet, por edhe reformim të procesit të zgjerimit.

Top Channel