Spike Lee është zgjedhur president i jurisë së edicionit të 73 të festivalit të kinemasë në Kanë, që do të mbahet nga 12 deri më 23 maji i 2020.
Ai është i pari person me ngjyrë që merr rolin prestigjoz, që vitin e kaluar i takoi kineastit meksikan Alejandro Inarritu.
“Ndihem i nderuar që bëhem personi i parë i diasporës afrikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që e marr këtë rol”, ka deklaruar regjisori 62 vjecar amerikan.
“Kur më thirrën, nuk mund ta besoja, isha i lumtur, i habitur dhe i nderuar në të njëjtën kohë”, tha Lee që në filmat e tij ka trajtuar edhe tema politike dhe sociale si racizmi dhe dhuna. Në vitin 2018, pas një mungese prej 22 vitesh, Spike Lee u rikthye në garën e Kanës me BlacKkKlansman, që më pas mori çmimin Gran Prix të jurisë.
Presidenti i festivalit të kanës Pierre Lescure dhe drejtori artistik, Thierry Frémaux, kanë përshëndetur zgjedhjen duke thënë: “Perspektiva e Spike Lee ka më shumë vlerë se kurrë. Kana është vendlindja natyrale dhe shtëpia e rezonancës globale për ata që rizgjojnë mendjen dhe shkundin paragjykimet. Personaliteti rrëzëllitës i Spike Lee do të prekë shpirtrat. Çfarë lloj presidenti jurie do të jetë? Do ta zbuloni në kanë!”
Top Channel