Një statujë e drunjtë e presidentit amerikan Donald Trump u dogj të enjten në slloveni, vendlindjen e bashkëshortes së tij, Melania.

Konstruksioni rreth tetë metra i lartë, u ngrit vitin e kaluar në një fshat në Slloveninë verilindore dhe tregonte Trumpin me stilin e tij të famshëm të flokëve, kostum blu, këmishë të bardhë dhe një kollare të gjatë të kuqe. Krahu i djathtë i tij ishte ngritur si ai i statujës së lirisë në Nju Jork.
Policia sllovene është vënë në kërkim të zjarrvënësit.

Edhe pse konstruksioni u bë shumë shpejt një atraksion turistik, disa nga fshatarët ishin të pakënaqur me pamjen e tij dhe kishin premtuar se do ta digjnin për halloween. Ndaj, statuja u zhvendos në një fshat tjetër aty pranë. Sipas Milan Balazic, kryebashkiak i Moravce-s, ku statuja kish përfunduar, nuk dihen arsyet përse ajo u dogj. Ai tha se djegia e statujës është simbol i intolerancës kundrejt projekteve artistike në shoqëri.

Kjo nuk ishte hera e parë në slloveni që një pjesëtar i familjes Trump është gdhendur në dru. Një skulpturë e zonjës së parë Melania, po prej druri, u vendos në qytetin e saj të lindjes, Sevnica, qershorin e kaluar. Për Melanian ka ndjenja të ndryshme në slloveni ku shpresat se ajo do të promovonte vendin e saj piktoresk pasi Trump mori detyrën ishin të shumta. Por, ajo rrallë herë e ka përmendur Slloveninë në shfaqjet e saj publike dhe nuk e ka vizituar vendin që nga inaugurimi i Trump.

Top Channel