Gjykata Penale në Shkup njoftoi se katër ish-drejtues të lartë shtetërorë do të gjykohen për ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, që ndodhën 27 prillin e vitit 2017.

Në bankën e të akuzuarve do të jenë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish ministri i Transportit, Mile Janakievski, ish ministri i Punëve dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasoski, ish shef i policisë sekrete. Ata do të gjykohen si organizatorë të episodeve të dhunës, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kishte ngritur aktakuzë kundër këtyre personave majin e vitit të kaluar, për “vënien në rrezik të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Në bazë të hetimit të organit të akuzës, të pandehurit do të fajësohen për organizimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë protestave masive, fillimisht asaj të mbajtur përpara Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe më tej, pushtimit të parlamentit.

Nga dhuna e protestuesve që hynë në Kuvend pasi i hapën dyert disa deputetë të VMRO DPMNE-së, i mbetën të lënduar disa ligjvënës, por goditjet më të mëdha i morën kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela. Dhuna ndodhi pas zgjedhjes së Talat Xhaferi si kryetar parlamenti,caktimin e të cilit, VMRO DPMNE, e kundërshtonte me forcë.

Top Channel