Ekspertët vlerësojnë se ky ndryshim reflekton frikën se deri ku do të shkojë situata konfliktuale, por që sipas parashikimeve paraprake luhatjet e çmimeve nuk do të jenë të mëdha.
“Nëse konflikti nuk do të përshkallëzohet në përmasa të gjera, situata mund të stabilizohet sepse po të shikojmë tregun e naftës në muajt e fundit ka pasur një superprodhim, pra oferta ka qenë më e madhe se kërkesa, gjë që ka mbajtur një çmim të ulët. Dhe njëkohësisht janë shumë aktorë të tjerë nëse do të acarohet situata në Lindjen e Mesme. Të paktën institucionet e specializuara evidentojnë faktin që mund të futet në lojë sasia e madhe e naftës që prodhohet në Norvegji, Rusi, OPAC- u por edhe rezervat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shprehet Ardian Civici.
Ngritja e bursave ndërkombëtare mund të përfshijë edhe Shqipërinë, megjithatë specialistët e ekonomisë, theksojnë se shtrenjtimi I naftës këtu nuk duhet të ndodh sot për nesër.
“Ekziston një ligj,një vendim I kohëve më parë që çdo kompani nafte duhet të ketë disa rezerva strategjike ose operative për një periudhë dy ose tre mujore dhe natyrisht nuk do ishte e drejtë që çmimi i naftës sapo të rritet në tregjet ndërkombëtare të reflektohej që të nesërmen këtu, sepse nuk shitet ajo naftë. Ajo naftë që tani po rritet, mund të vijë në Shqipëri, pas një ose dy muajsh”, shprehet Civici.
Deri më tani shoferët shqiptarë pohojnë se nuk ka lëvizur çmimi i naftës, por që nëse çmimi në tregjet ndërkombëtare bëhet stabël duke u rritur, natyrisht rritja do të reflektohet edhe te ne.
Top Channel