Kush janë 6 finalistët dhe çfarë surprizash ofron finalja e madhe e “Hell’s Kitchen Albania 2”

08/01/2020 18:04

Këtë të premte do të jetë nata finale e edicionit të dytë të “Hell’s Kitchen Albania”. Në garë kanë mbetur 6 konkurrentë, që do të sfidojnë për të fundit herë njëri- tjetrin, për të shkuar drejt dyshes finale e për të marrë në fund kupën e fitores.

Nata finale ofron surpriza të mëdha, që s’do të kenë të bëjnë vetëm me garën e gatimit por dhe me jetët personale të secilit prej konkurrentëve, e madje edhe të vetë djallit, shef Renatos.

Spoti që po shfaqet në ekranin e Top Channel na ka zbuluar një moment kur të gjithë janë të përlotur. Shef Renato ka shkruar në “instragram” se kjo finale është qarë me lot, në kuptimin e plotë të fjalës. Çfarë ka ndodhur? Pse janë prekur aq shumë konkurrentët e shefi bashkë me to? Do të zbulohet të premten mbrëma. Deri atëherë le të njihemi me 6 finalistët e asaj nate.

Kristina Goro, 21 vjeç, aktore, lindur e rritur në Sarandë. Është diplomuar për aktrim në Universitetin e Arteve në Tiranë, por kuzhina mbetet pasioni i saj më i madh, që prej fëmijërisë kur nisi të gatuajë tek restoranti i dajave të saj në Ksamil. Edhe pse ka provuar magjinë e skenës dhe ekranit, emocioni që i jep kuzhina është krejt tjetër gjë. Ndaj erdhi të shijojë eksperiencën në “Hell’s Kitchen”.

Visara Pirra, 21 vjeç, kuzhiniere, është rritur në Lushnje, duke mësuar të gatuajë së pari ëmbëlsirat nga e ëma, e cila është pastiçiere. Më pas kuzhina do të bëhej profesioni i saj, duke u specializuar në një shkollë gatimi 2 vjeçare. Tashmë punon në restorante të ndryshme, jo vetëm në Tiranë por dhe në jug të Shqipërisë.

Ledjon Malo, 28 vjeç, kuzhinier. Udhëtimin drejt kuzhinës e nisi në moshën 17 vjeçare, duke gatuar me mamin, e cila nuk jeton më. Pasi e ktheu në një profesion, Ledjoni u bë pjesë e sfidave të televizive, moment që e inkurajoi drejt famës. Familjen e ka në Vlorë, por vetë jeton me të fejuarën në Tiranë. Ka punuar si shef kuzhine në kuzhina të njohura brenda dhe jashtë vendit.

Françesko Tuku, 24 vjeç, kuzhinier. Punon prej 7 vitesh si kuzhinier në Shëngjin. E nisi krejt rastësisht punën që më pas do t’i kthehej në profesion dhe pasion. Jeton me prindërit në fshatin Gjadër të Lezhës. Si djalë fshati që është, armë të fortë në gatim ka ushqimet bio. Françesko erdhi në “Hell’s Kitchen” me bindjen se shef Renato është shembulli i duhur për t’u ndjekur.

Selman Haxhiu, 29 vjeç, kuzhinier. Erdhi nga Anglia, me një eksperiencë pesë vjeçare në kuzhinë i bindur se do të mund t’ja dalë në kuzhinën e ferrit. Ai aktualisht punon si sous chef në restorantin e dasmave “Galloping Gourmet Wasing Park” në Reading të Londrës.

Sokol Luca, 25 vjeç, kuzhinier, shkodrani që erdhi me bindjen se “me ken shkodran të tana i ban”. Si fëmija më i vogël mes shumë motrash e vëllezërish që jetojnë jashtë Shqipërisë, ai ka zgjedhur të rrijë në shtëpi me prindërit e moshuar. Pas shumë eksperiencash në qytete të ndryshme të Shqipërisë, tani punon në restorante të ndryshme në Shkodër.

Përderisa arritën finale e madhe, të gjithë ndjehen fitues. Por kupën do ta marrë vetëm njëri ose njëra prej tyre.

FOTO GALERI
2/6
Ledjon Malo

Top Channel