Tërmeti i 26 nëntorit ka lënë mijëra familje në qiell të hapur. Situata alarmante është në disa fshatra të Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës. Mungesa e shtëpive me qira, por edhe procedurat që nuk mbarojnë kurrë, i ka detyruar këto familje që dimrin ta kalojnë në çadra.

“Fiks Fare” udhëtoi në fshatin Bubq të Krujës, ku banorët ankohen se ende nuk kanë marrë bonus qiraje. Sipas tyre, procedurat burokratike vijojnë të zgjasin dhe netët e ftohta të dimrit familjet me invalidë, me të moshuar apo fëmijë të vegjël, po i kalojnë në këto çadra.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në disa nga familjet që iu janë shkatërruar shtëpitë. Një banor tregon se 14 familje kanë jetuar në një pallat të ndërtuar me punë vullnetare në Bubq. Pallati është shkatërruar, ndërsa që pas 26 nëntorit, ai bashkë me djalin jetojnë në çadër. Gruan e ka strehuar tek të afërmit e tij, pasi sapo ka bërë një operacion. Deri më sot, s’ka marrë bonus qiraje. Një banore tjetër thotë se banonte në pallatin e shkatërruar dhe tani në çadër. “S’kemi ku të shkojmë, po kalojmë netët e ftohta këtu” thotë ajo. Ndërkohë, pak metra më tutje, ka sërish çadra të vendosura para shtëpive të shkatërruara, ku jetojnë të moshuar dhe invalidë. Lumja, një prej tyre, thotë se furtuna e para ca ditëve e ka gjetur brenda çadrës. “Mendonim se na e mori furtuna çadrën. Kishim frikë se do ngelnim në qiell të hapur. Kërkoj ndihmën nga Edi Rama”, thotë ajo.

Fiksi shkoi në një familje tjetër, ku në çadër qëndron edhe një person me probleme të shëndetit mendor. Edhe ai, si të gjithë në Bubq, nuk ka përfituar nga bonusi qirasë. Ndërkohë, kunata e tij është strehuar në një kontenier, i ardhur nga një shoqatë pasi ka dy fëmijë të vegjël. “Më ndihmuan këto shoqatat. Shteti s’na ka dhënë asnjë ndihmë”, thotë ajo. Pas këtyre ankesave, Fiks Fare shkoi në Njësinë Administrative Bubq. Një punonjëse tha se në të gjithë Bubqin janë rreth 260 familje të cilat jetojnë në çadër. Sipas saj, 57 familje kanë aplikuar për bonus qiraje, por deri më tani askush nuk ka marrë.

“Kanë aplikuar pak, por askush nuk ka marrë. Nuk e dimë se do jepen apo jo. Vetëm plotësojmë dokumentet dhe më pas do merret Bashkia Krujë”, thotë ajo. Fiks Fare pyeti edhe në Bashkinë Krujë, e cila tha se pas aplikimeve dhe verifikimeve paraprake nga grupet në terren, listat do të kalojnë në Këshillin Bashkiak. Sipas saj, janë miratuar disa lista për bonus qiraje për banorët e strehuar në disa hotele, por ende nuk është lëvruar asnjë fond. Për pasojë, këto familje me të moshuar, invalidë apo me fëmijë të vegjël, vijojnë të jetojnë në çadra, në temperatura që kanë shkuar disa gradë nën zero.

FOTO GALERI
7/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA