Një grua është arrestuar në Kosovë pasi përmes rrjeteve sociale kishte kritikuar vrasjen e gjeneralit iranian Kasem Soleimani dhe kish thënë se hakmarrja, ishte e detyrueshme.

Ikballe Berisha Huduti, dyshohet sipas policisë për veprën “shtytje në kryerjen e veprave penale terroriste”. Policia thotë se gjatë aksionit të zhvilluar më 7 janar, në Prishtinë, Drejtoria kundër terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarës.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarës janë konfiskuar disa pajisje elektronike si dhe dëshmi tjera. E dyshuara është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në qeli”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, andaj hakmarrja është e obligueshme, por nuk ka kufi”, kishte shkruar e arrestuara. Më pas ajo e kishte fshirë këtë postim, pas raportimeve nga mediat vendore në Kosovë.

Top Channel