Gjendja e rëndë ekonomike në Mitrovicë, “çapuritësit” rrezikojnë shëndetin për mbijetesë

07/01/2020 14:08

Gjendja e rëndë ekonomike në Mitrovicën e ndarë në dysh, po i shtyn shumë të rinj që të rrezikojnë edhe shëndetin e tyre për mbijetesë.

“Çapuritësit”, siç i quajnë të gjithë këtu, janë “punëtorë” pothuajse të përhershëm në vendgrumbullimin e mbeturinave në Gërmovë. Me këtë punë ata sigurojnë ekzistencën e familjeve. Edhe pse të vetëdijshëm se po rrezikojnë shëndetin, rrëfejnë se nuk kanë zgjidhje tjetër.

“Jam i infektuar, hamë ushqime të skaduara, i çojmë dhe në shtëpi”, shprehet një qytetar.

Mbi 30 persona të moshave madhore, duke mos llogaritur edhe një numër të madh të miturish që vinë nga fshatra të ndryshme të Mitrovicës, janë vizitorët e përditshëm të këtij vendgrumbullimi. Ata shpesh të mbështjellin fytyrën e në duar mbajnë doreza, ndërsa disa nuk e lënë kamerën të afrohet sepse nuk duan të mësohet se çfarë pune bëjnë.

“Vij prej orës 6 ose 7 dhe rri deri në 4-5…Jemi dy anëtarë…Mbaj familjen me të hollat që fitoj…S’ka punë tjetër, kam provuar, por s’të ndihmon askush…Gjithqysh fitoj 10-15 euro, për Zotin sa për mos me heq keq thuaja, sepse më shumë diçka jo. Edhe era këtu, plus injeksionet çka marrim, zor është boll”, shprehet një tjetër.

Mjeku infeksionist, Visar Gashi u shpreh se personat në fjalë gjatë punës së tyre dhe kushteve në të cilat punojnë, janë të ekspozuar ndaj një rreziku të madh shëndetësor. Ai përmendi sëmundje që nisin nga ato më të lehtat e deri tek ato të rëndat dhe më të rrezikshmet, siç janë hepatiti B dhe C, me të cilat tha se mund të përballet secili prej personave që punojnë në ato kushte, por dhe familjarët e tyre.

/Irida Vasia/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA