Fillimi i gjyqit të shumëpritur të gjashtë personave të akuzuar për përfshirje në vrasjen e kreut të partisë politike serbe Oliver Ivanoviç është shtyrë në 11 shkurt të 2020-tës.

Gjashtë të pandehurit – Nedelko Spasojevic, Marko Rosic, Silvana Arsovic, Dragisa Markovic, Zarko Jovanoviç dhe Rade Pasara – ishin të gjithë të pranishëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, por hapja e gjykimit u vonua si rezultat i ndryshimeve në aktakuzë. Të pandehurit Spasojeviç, Markoviç, Jovanoviç dhe Basara kanë qenë të gjithë efektivë të policisë së Kosovës përpara se të arrestoheshin, ndërsa Arsovic është ish-punonjëse administrative e partisë së Ivanoviçit. Së bashku me të pandehurin Rosic, ata të gjithë akuzohen se janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal që vrau Ivanoviçin.

Gjykatësi Valon Kurtaj tha se Prokuroria Speciale e Kosovës kishte paraqitur një version të ri të aktakuzës të premten, por për shkak të pushimit të fundjavës, ai nuk iu dorëzua të akuzuarve dhe avokatëve të tyre. Të pyetur nëse donin më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur, avokatët mbrojtës u përgjigjën duke kritikuar sjelljen e prokurorisë. Ata po kështu u ankuan se disa nga provat nuk ishin përkthyer nga gjuha shqipe në serbisht, e cila është dhe amtare e të pandehurve, duke shkelur kështu të drejtat e tyre.

Ivanovic, lideri i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u qëllua për vdekje me armë zjarri 16 janarin e vitit 2018 përpara zyrës së tij në veriun e Mitrovicës. Nëntorin e atij viti, autoritetet në Kosovë patën lëshuar një urdhër arresti për Milan Radoiçiçin, nënkryetar i Listës Serbe, që është subjekti politik i serbëve të Kosovës i mbështetur nga Beogradi.

Top Channel