Emigrantët shqiptarë përbëjnë rreth 5 për qind të rreth 180 mijë banorëve në qytetin e Usterit, në Masaçusets. Ndërsa shqiptarët e parë, u vendosën atje në fillim të shekullit të kaluar, një valë e dytë e ardhur pas viteve ’90 ka pasuruar komunitetin dhe tani 5 breza shqiptarësh kontribuojnë në jetën e qytetit, duke ruajtur dhe përhapur gjithashtu traditën e tyre.
Gregory Steffon u përket trashëgimtarëve të komunitetit shqiptaro-amerikan që u krijua në Uster me 400 familjet e para, kryesisht nga zona e Korçës para 105 vjetësh.
Rreth asaj kohe, u themelua edhe Kisha shqiptare Ortodokse e Usterit, duke u bërë qendër e komunitetit.
“Komuniteti filloi të krijohej në vitet 1900 dhe të organizohej rreth vitit 1915 dhe një nga arsyet që kisha u ndërtua këtu në Uster, ishte sepse ishte dikush që jetonte në Hudson të Masaçusetsit këtu afër dhe kisha greke nuk pranonte ta varroste sepse ishte një patriot shqiptar”.
Bëhej fjalë për Kosta Dishnicën, një patriot shqiptar.
Gregory thotë se për 50 vjet nuk pati imigrantë të rinj për shkak të komunizmit, dhe komuniteti u përpoq sa mundi të ruante traditën.
“Tani ndoshta ka pesë breza shqiptaro-amerikanësh që jetojnë këtu në këtë komunitet. Në mbi 20 vitet e fundit, pasi ra sistemi komunist në Shqipëri, pati një valë të re njerëzish që erdhën nga Shqipëria, pas 50 vjetëve që nuk pati të ardhur”.
Familjet e reja, tha ai filluan të vijnë dhe më pas të afërmit e tyre dhe kështu është rritur komuniteti dhe sot ka më shumë shqiptarë se kurrë më parë.
Kisha ndodhet sot në një godinë re që u ble në vitin 1982 dhe afreskot janë bërë nga një artist shqiptar, Dhimitër Cika. Prifti Mark Doku, shërben këtu prej 15 vjetësh.
“Tani më shumë se kurrë, është shumë më e lehtë për shqiptarët, nga ç’ishte në fillim të shekullit. Si shqiptarët, edhe grupet e tjera kishin një ndjesi jo të rehatshme, ndoshta ndjeheshin edhe të turpëruar, për shkak të pengesës së gjuhës dhe sepse nuk dinin ç’të bënin. Tani ata janë të integruar në mënyrën amerikane të jetesës”, thotë ai.
Ai thotë se se komuniteti shqiptar ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, që t’u tregojë njerëzve se “kush jemi ne si popull, si kulturë dhe megjithëse Shqipëria është shumë e vogël, është shumë e njohur mirë në Uster”.
“Duke qenë shqiptarë ne ndonjëherë jemi gjaknxehtë, kemi një pasion për jetën, shqiptarët njihen për këtë. Ata janë gjithashtu të njohur më veçanërisht për mikpritjen e tyre. Janë njerëz që i duan njerëzit dhe këtë nuk e sheh vetëm në Shqipëri por edhe këtu, janë të ngrohtë, e shijojnë jetën e komunitetit”.
“Gjatë 20 vjetëve patëm njerëz që hapën biznese: kompani sigurimesh, doktorë, pronarë restorantesh. Kemi një komunitet biznesi shumë energjik shqiptar”.
Mes tyre, është Orieta Kristo, që ka një biznes sigurimesh:
“Dhe gjithmonë jam munduar të ndihmoj sado pak ose duke bërë punë vullnetare, ose duke dhënë fonde për të mbledhur ndihma për komunitetin”, thotë ajo.
Oriola Koçi dhe bashkëshorti i saj, janë bashkëpronarë të dy restoranteve, Altea’s Eatery dhe Livia’s Dish, që kanë fituar disa çmime.
“Fakti që ishim në Uster, që jemi të rrethuar nga kaq shumë shqiptarë, na bënte dhe neve, edhe njerëzit që vinin më të rehatshëm, na jepte një çikë më shumë shpresë që çdo ditë do bëhej më mirë. Usteri është qytet i vogël por me shumë shqiptarë që tani një brez i ri që ka filluar të integrohet në jetën e biznesit, politikës, me të vërtetë po punojmë me njëri-tjetrin”, thotë ajo.
Atë e motivon mbështetja e klientelës së tyre.
“Këta njerëz që vijnë, kënaqen, kritikat e mira që marrim ne, çmimet, janë me të vërtetë ajo që më bën të them që nuk ka biznes dhe punë pa ditë të këqia, por do kalojë dhe do vijë dita më e mirë”.
Frenklin Zdruli, është një nga aktivistët e komunitetit që i takon valës së re të imigracionit dhe thotë që çdo brezi i takon të ruajë dhe përçojë traditën:
“Suksesi i secilit prej nesh është edhe një sukses i mirëfilltë edhe për suksesin e komunitetit dhe është një rrugë me dy kalime. Sa më të suksesshëm të jemi si individë aq më të fortë e bëjmë dhe komunitetin shqiptar”.
Një nga kontributet me peshë në jetën e Usterit, është festivali shqiptar, krijuar në vitin 1983 që bëhet një herë në dy vjet dhe që mbështetet nga komuniteti dhe njerëz të biznesit si zonjat Kristo dhe Koçi. Aty shqiptarë dhe jo shqiptarë shijojnë ushqimin, njihen me muzikën dhe traditat e vendit.
Zoti Zdruli është edhe pjesë e ekipit menaxhues të kompleksit “Illyrian Gardens” me 72 apartamente, ku që nga viti 1991, strehohen të moshuar.
Ai thotë se ka ardhur koha që shqiptarët të shkruajnë historinë e tyre, të komunitetit të tyre.
“Kemi filluar një projekt afatgjatë që është në hapat e para, në bashkëpunim me Muzeun Historik të Usterit për të dixhitalizuar të gjithë këtë histori 105 vjeçare”.
“Që fëmijët të rriten me nocionin që Usteri është shtëpia e tyre dhe familja e tyre, ata vetë janë një pjesë e familjes së madhe amerikane këtu në Uster”.
At Doku thotë se pa dyshim që shqiptarët i japin një shije të veçantë Usterit.
“Rrallë qëllon që të kesh një festë dhe të mos dalë dikush të nxjerrë kitarën, ose tre-katër veta qeshin, këndojnë, gëzojnë shoqërinë e njëri-tjetrit, prandaj përsa kohë të ketë shqiptarë në këtë qytet, qyteti do të ketë gjallëri”.marre nga VOA ne shqip
Top Channel