“Sipërmarrësit e Diasporës” në Top Channel! Dokumentarët në shqip dhe anglisht që do të dëshmojnë historitë e suksesit të shqiptarëve në botë

18/03/2022 14:11

“Sipërmarrësit e Diasporës” është një seri dokumentarësh me shqiptarë që kanë ndërtuar biznese në shtete të ndryshme të botës.

Një projekt i cili do të tregojë historinë e jetës së sipërmarrësve shqiptarë, sfidat në emigrim, si edhe etapat e zhvillimit të biznesit. Dokumentarët do të gjurmojnë historinë, nga fëmijëria, emigrimi, e deri në ditët e sotme. Pjesë e dokumentarëve do të jenë shumë nga familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe bashkëpunëtorët e biznesit në vendet ku ato jetojnë dhe zhvillojnë biznesin.

Frymëzuar nga dokumentarët e sipërmarrësve të suksesshëm në mbarë botën, ky projekt do të jetë i ngjashëm me prodhimet ndërkombëtare, do të transmetohet në Top Channel në dy gjuhë shqip dhe anglisht. Historitë e suksesit duke nisur nga zero e shqiptarëve sipërmarrës në botë do të shfaqen reale, dhe do të mund të kuptohet se suksesi dhe njohja vijnë vetëm si rezultat i punës së madhe dhe sfidave të shumta. Ky projekt do të jetë dhe një promovim për çdo sipërmarrës shqiptar për të dëshmuar suksesin e tyre jashtë vendlindjes.

Xhirimet do të realizohen në çdo shtet ku shqiptarët zhvillojnë biznesin e tyre, për të dëshmuar histori frymëzuese, histori jete, të shqiptarëve të suksesshëm që kanë kthyer pasionin e tyre në një biznes të suksesshëm jashtë vendlindjes. Të patrembur nga dështimi, shqiptarë të shumtë kanë ngritur biznese dhe kanë dëshmuar aftësitë madhore duke e përtërirë imazhin e biznesit që kanë ndërtuar dhe duke e ngritur në nivel të barabartë me kompani e biznese vendase.

Zonja dhe zotërinj shqiptarë të suksesshëm janë të shumtë tani në botë, të gjithë ata janë të denjë, të respektuar, të cilët po shijojnë suksesin dhe po motivojnë shumë të rinj duke i shërbyer progresit. Na kontaktoni në website e Top Channel si dhe në [email protected].

Top Channel, televizioni që bashkon të gjithë shqiptarët!

Top Channel