Ka vend për shqiptarë – Sportistët më të paguar në Zvicër

27/12/2019 16:16

Ata janë mes futbollistëve më të vlerësuar në kombëtaren zvicerane, janë mes personazheve më të dashur për tifozët, por së fundmi egoja e madhe dhe ambicia i kanë përplasur në një konflikt për shiritin e kapitenit. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë edhe mes lojtarëve më të paguar në federatën helvetike.

Granit Xhaka është i dyti në listën e prezantuar nga gazeta Blik. Mesfushori i Arsenalit paguhet 13.2 milionë Franga në vit, një kontratë e cila u negociua për shumë muaj me formacionin londinez.

Granit Xhaka lihet pas në listë nga Klint Kapela, basketbollisti i Hjuston Rokets që merr 15.2 milionë franga zvicerane falë akordit me gjigantët e NBA. Hokej dhe futbolli janë dy sportet që kanë më së shumti lojtarë, nga 4 gjithsej dhe basketbolli e tenisi kanë nga një përfaqësues.

Mesfushori i Liverpulit, Xherdan Shaqiri është i pesti në listën e sportistëve zviceranë më të vlerësuar financiarisht me 7.93 milionë franga të fituara gjatë këtij viti.

Top Channel