Kanë mbetur më pak se tre ditë nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dhe marrëveshja e koalicionit qeverisës, duket ende e largët.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës deri tani kanë zhvilluar disa takime, ku kanë harmonizuar programet qeverisëse, por bisedimet kanë ngecur tek ndarja e posteve, ose më sakte, tek presidenca, të cilët LDK po e kërkon me forcë, por edhe Vetëvendosje duket po kaq e bindur të mos lëshojë pe. Zgjidhja, sipas analistëve, është vetëm në dorën e dy kryetarëve të partive.

“Arritja e marrëveshjes varet vetëm nga vullneti i Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, që të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dy palët mbi ndarjen e përgjegjësive institucionale, duke përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri në 2021. Veprimet e ndërmarra nga partitë politike nga takimi i 2 dhjetorit kanë qenë në drejtim të cimentimit të qëndrimeve partiake dhe jo arritjes së kompromisit”, tha Blerim Vela për Telegrafin.

Megjithatë ai shtoi se presioni ndaj këtyre partive do të shtohet, dhe kjo ndoshta në mënyrë paradoksale, mund të rezultojë me krijimin e arritjes së marrëveshjes.  Vela shtoi se VV dhe LDK duhet të jenë të vetëdijshme që vonesat në krijimin e qeverisë dhe funksionalizimin e Kuvendit pas 26 dhjetorit, rrezikojnë të fusin vendin përveç krizës politike, edhe në krizë buxhetore dhe institucionale.

Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 deri më 29 shkurt 2020 nënkupton bllokimin e financimit të institucioneve publike nga buxheti i shtetit. Një situatë e tille mund të shkaktojë një kolaps të paprecedent institucional dhe politik, argumenton eksperti, që shton se duhet gjetur medoemos nje zgjidhje kompromisi.

Top Channel