Qendra ‘Këshillimi’, u themelua nga një nënë e cila humbi djalin e saj para një viti e gjysmë nga përdorimi i substancave narkotike. Arjeta Musliu me profesion psikologe, vendosi që dhimbjen e saj ta kthejë në forcë dhe ta përmbush amanetin që i dha djalit të saj, se do ta themelojë një qendër këshilluese, që t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre të rinjve që përballen me problemet e njëjtat me të cilat u përball edhe djali i saj, e që për fat të keq nuk arriti ta mposhtë luftën me drogën.
Konsultime, psikoterapi individuale, psikoterapi grupore, vetëdijesim dhe ligjërata janë vetëm disa nga shërbimet që ofron qendra “Këshillimi” në Ferizaj, të cilat bëhen në mënyrë vullnetare dhe pa pagesë.
Pas sukseseve që po tregon qendra “Këshillimi” Musliu thotë se nuk ka pasur dyshime që një qendër e tillë nuk është e nevojshme, sepse në kohen kur djali i saj ka qen përdorues i lëndeve narkotike, i ka munguar një qendër e tillë.
Musliu: Si nënë më ka munguar qendra për të hequr dorë nga droga
“Në fillim kur e kam hap qendrën nuk kam dyshu në atë që një qendër e tillë nuk është e nevojshme, përderisa mua si nënë në atë periudhën që jam përballë unë me një sprovë të tillë më ka munguar, mandej duke e pa stigmën dhe ato barrierat që i kemi ne, që ndihma e psikologut apo kërkimi i ndihmës në forma të ndryshme është pak, e kemi një farë izolimi në vete, po ka ndodhë e kundërta, përderisa kanë vërshu terminet, interesimi, akoma pa u bë ajo hapja zyrtare e qendrës, mundem me thanë që jemi duke tregu jashtëzakonisht një rezultat të madh në këtë fushë”, tha Musliu.
Sipas Musliut, qendra ‘Këshillimi’, tashmë e pesë muaj po kryen këtë punë në mënyrë vullnetare dhe pavarësisht vullnetit, po has në shumë vështirësi, duke filluar nga lokali që kanë me qere, pastaj punëtorët e shumë gjëra të tjera të cilat kërkojnë përkrahje që po mungon.
Musliu: Agim Aliu na ka premtuar se do të na ndihmojë
“Sa i përket përkrahjes, ne aktualisht jemi me vetë financim, ku kemi obligime, kemi detyrime duke filluar prej objektit që e kemi me qere, mandej kemi punëtorët ku shumica e tyre punojnë vullnetarisht, njëjtë sikur unë, kemi një përkrahje mund të them minimale nga kryetari i Kuvendit Komunal, Agim Aliu. Na ka premtuar në këtë pjesë që kemi me gjetë një bashkëpunim dhe një zgjidhje”, shtoi Musliu.
Musliu tha se ka kërkesa të shumta nga prindërit, sa i kanë fëmijët akoma të vegjël, t’i dërgojnë në qendrën “Këshillimi”, në mënyrë që ata të informohen me pasojat e kësaj dukurie por pavarësisht vullnetit të saj, kjo punë kërkon financim, ambiente më të zgjeruara për ligjërata, staf më të gjërë e shumë gjëra të tjera që janë të nevojshme.
Përveç këshillave në qendër, Musliu mban edhe ligjërata në shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Ferizajt. Ajo tha se gjatë ligjëratave ishte befasuar në aspektin pozitiv, ku kishte parë një interesim të madh nga nxënësit për të dëgjuar dhe për të mësuar gjëra rreth kësaj dukurie.
Musliu: Këto ligjërata po funksionojnë shumë mirë në vetëdijesimin e të rinjve
“Shkollat fillore zakonisht i kemi më të qeta, janë më të ri, ku shqetësimi është më së shumti te klasët e 8 dhe 9, që fatkeqësisht po duhet vazhdimisht me përsëritë që konsumimi i përdoruesve po fillon me një moshë shumë të re, deri më tani ka qenë mosha 16 vjeçare, ndërsa tash kemi përdorues nga mosha 13 vjeçare. Kjo është sinqerisht shqetësuese, që na indiferent nuk mundemi me nejt më ndaj kësaj dukurie. Po ajo befasia në aspektin pozitiv është te shkollat e mesme, zakonisht është ajo mosha e adoleshencës, tranzicionit por po ndodhë mrekulli. Kam ardhë në përfundim, çka më ka ndodh me dëgju, në masë shumë të madhe të nxënësve më është dukur që po bëj një monolog me veten, po flas me veten, ka mbretëruar ajo qetësi, ai interesim edhe unë kom mësu ndoshta shumë gjana prej fëmijëve, prej atyre nxënësve pyetje të vazhdueshme, është mungesë e informacionit, janë kureshtar me dit gjithçka, ka funksio nu shumë mirë”, tha Musliu
Sipas Musliut, thelbi i një rezultati për t’u largu fëmija nga konsumi i lëndëve narkotike është përkrahja familjare, komunikimi, pranimi në shoqëri dhe në asnjë mënyrë, kritikimi, ndëshkimi apo dëbimi nga shtëpia.
Musliu: Përkrahja është baza e një përmirësimi
“Këshilla ose apeli kryesor që ja dedikoj prindërve është mos i dëboni fëmijët mos i injoroni nuk është turp me pranu që fëmija është përdorues i substancave, fëmijët e tonë sot për sot janë viktima, asnjë prind nuk e kursen vetën mos me i eduku apo mos me u kujdes, po thjeshtë po rrëmbehen të rinjtë tonë, pa atë vetëdijesimin që duhet me pas prej shoqërisë , mandej po mbetet faji komplet te një shoqëri. Po thjesht përkrahja është ajo baza për me fillu ato hapat e par”, tha Musliu.
Ajo ka rekomanduar të afërmit e personave që konsumojnë drogë, që atyre t’i japin përkrahje e dashuri pa fund sepse përdoruesit e lëndëve narkotike gjithmonë janë të penduar dhe të hysh në luftë me drogën nuk është aspak e lehtë.
Ndryshe, Qendra Këshilluese “Këshillimi”, gjendet në Ferizaj dhe është qendër e cila iu del në ndihmë të gjithë të rinjve për t’u larguar nga lëndët narkotike./Q.Rexhaj/
Top Channel