Jonuz: Ndaj Partizanit për të marrë pikë, për merkaton kam 10 emra në listë

21/12/2019 23:32

Pavarsisht humbjes ndaj Kukësit, trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz u shfaq optimist përpara ndeshjes ndaj Partizanit. Në konferencën për shtyp numri 1 i stolit të Vllaznisë vlerësoi të kuqtë por theksoi se skuadra e tij vjen në kryeqytet për të marrë pikë.

“Jemi më të plotë, pasi edhe Ualusimibi është gati pasi e kaloi dënimin, u kemi folur shumë lojtarëve për Partizanin, synimet dhe kualitete që ka dhe pas ndeshjes me Kukësin që ne humbëm, duhet që të mendojmë vetëm për sfidën e radhës, për të dalë me rezultat pozitiv, – tha trajneri Jonuz.

Synimet

“Besoj te skuadra dhe lojtarët që kam në dispozicion. Dua pikë dhe sa herë që ja kam kërkuar djemve,e ma kanë plotësuar dëshirën. Këtë dua edhe në këtë takim. Ishalla marrim pikë, por fitorja natyrisht që do të ishte akoma më mirë. Le të shpresojmë, duke bërë një lojë të mirë dhe të zbatojmë porositë e lëna në stërvitje”.

Mungesat

“Partizani ka mungesa, por Jonuz flet edhe për emrat që ka kundërshtari: “I njoh mirë, Partizani është një ekip me kualitete dhe shumë lojtarë me eksperiencë. Nuk është se do t’u prishin punë mungesat. Nëse nuk kanë Boldorin është Bitri, apo Çinari dhe Asani që janë shumë lojtarë me cilësisë në ofensivë”.

Merkato

“Po, kam dhjetë emra në listë dhe jo dy… Kam menduar për ato që mund të bëhen dhe alternativat. Shpresoj që në merkato të na ci mirë dhe të jemi më kompetitivë në pjesën e dytë të garës. Atëherë skuadra do të ketë synime më të qarta, për të shkuar aty ku duan drejtuesit”.

Top Channel