Kukësit fitoi 2-1 derbin e veriut të futbollit shqiptar me Vllazninë duke u shkëputur i vetëm në krye të Kategorisë Superiore. Në fillim Rroca dhe më pas Shkurtaj shënuan nga një gol për secilën pjesë duke i dhënë fitoren ekipit të trajnerit Duro.

Zogajt në minutën e 74 provoi të ndryshojë rrjedhën e lojës për shkodranët por pa sukses.

Partizani vuajti një tjetër disfatë, këtë herë mes tensionit në Durrës, ku u nënshtrua 1-0 nga Teuta. Ekipi vendas i drejtuar nga Edi Martini zhbllokoi shifrat me penalltinën e konvertuar në gol nga Kallaku ndërsa loja e bukur pas pushimit u zëvendësua me tension. 5 kartona të kuq në total në stadiumin ‘Niko Dovana’ ndërsa disfata e të kuqve i barazon në nivel me Teutën dhe riformaton renditjen.

Bylis është forcë e dytë e kampioantit pas fitores 1-0 me Lacin, ndeshje që u vendos nga goli i Goxhajt 10 minuta nga fundi. Luftëtari fitoi derbin e mbijetesës me Skënderbeun. 2-0 në qytetin e gurtë për formacionin vendas që sërish mbetet në zonën e ftohtë dhe ka pikërisht korçarët si skuadrën më të afërt për ta kaluar.

E fundit në skenën e futbollit këtë të mërkure zbriti Tirana që bindi me suksesin e pastër 2-0 ndaj Flamurtarit. Bardheblutë vazhduan me formën e mirë pas derbit, duke likujduar vlonjatë fillimisht me penalltinë e Bathës e më pas me goditjen fluturimthi të Torasës, mjaftueshëm për të ngjitur ekipin në renditje. Tani në kategorinë Superiore plot 4 skuadra ndajnë vendin e fundit që të con në Europë, Laçi, Tirana, Partizani dhe Teuta.

Top Channel