Pasi triumfoi në garën brenda serisë A për rolin e tij, Igli Tare do të provojë të zgjerojë hartën e çmimeve individuale.

Shqiptari është kandidati i vetëm nga ekipet e futbollit italian në garë për të marrë trofeun si Drejtori Sportiv i vitit, mes një liste prestigjioze që e ka vlerësuar paraprakisht për arritjet me ekipin e Lacios, goditjet e zgjuara në merkato dhe manovrat e guximshme me lojtarë që janë zbuluar një plusvalencë e madhe për romanët.

Tare do të rivalizojë në 28 Dhjetor në Globe Soccer Awards me emra të njohur të tjerë si homologu i tij te Atletiko e Madridit, Andrea Berta, francezin Eric Abidal të Barcelonës si dhe ish mesfushorin ofensiv Mark Overmars të Ajaksit. Pak ditë para ceremonisë, Igli Tare do të jetë në Arabi për Superkupën me Juventus, e më pas do të fluturojë në Dubai, me shpresën se do të triumfojë në rang botëror.

Drejtori Sportiv i Lacios shpreson ta shfrytëzojë transfertën edhe për të arritur marrëveshje për disa nga objektivat e klubit, për të mbajtur Lacion në garën për titullin kampion në serinë A.

Top Channel