Deputeti Ralf Gjoni i ftuar sot në studion e emisionit “Top Talk”, të gazetarit Denis Drynjaja, pohoi se bashkë me kolegen e tij Rudina Hajdari, kanë marrë pjesë në aktivitete të “Nismës Thurje”, e cila për momentin konsiderohet si organizatë e shoqërisë civile, por po projektohet për t’u shndërruar në një lëvizje politike.

Deputeti shtoi gjithashtu se Shqipërisë nuk i duhet një parti me një bajraktar në krye, por sipas tij, i duhet një lëvizje e madhe mbarëkombëtare për të ndryshuar vendin.

“Ne para disa javësh kemi qenë bashkë me Rudina Hajdarin në një takim të thërritur dhe organizuar nga “Nisma Thurje” në Gjirokastër. “Nisma Thurje” është një organizatë e shoqërisë civile, ashtu siç ka edhe organizata të tjera, edhe ne do të jemi prezent në të gjitha organizatat që na ftojnë të shoqërisë civile. Unë besoj përtej “Nismës Thurje” sepse kjo lëvizje të ardhmen e ka përpara do të vendos vetë se çfarë do të bëjë për të ardhmen. Unë besoj se Shqipërisë i duhet një lëvizje e madhe mbarëkombëtare, e cila nuk duhet të jetë e përqendruar tek kulti i një individi. Nuk na duhet më një parti e re politike me një bajraktar në krye. Ne na duhet një kastë e re politike në Shqipëri, na duhet një lëvizje për të ndryshuar vendin”, u shpreh deputeti Ralf Gjoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA