Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, organizatat GLPS dhe ÇOHU kanë organizuar tryezën me temën “Reforma në sistemin e drejtësisë në Kosovë: Drejtësia 2020 dhe procesi i rishikimit funksional të drejtësisë”, në të cilën u tha se qytetarët e Kosovës ballafaqohen me një sistem të drejtësisë jo efikas.
Aty u vlerësua se përmes procesit të vettingut mund të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë në Kosovës
Alison Storsve, zëvendës drejtoreshë e Zyrës për Politika dhe Ekonomi në Ambasadën e SHBA-së, tha se rishikimi funksional në sistemin e drejtësisë është agjendë përmes të cilës do të dalin me rekomandime dhe strategji.
Ajo kërkoi që reforma në sektorin e drejtësisë të përkrahet edhe nga qeveria e ardhshme e Kosovës dhe se në këtë sektor duhet të ketë reforma të merituara që janë në përputhje me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Storsve: Sektori duhet të ketë reforma të merituara
“Sektori duhet të ketë reforma të merituara që përputhen me shtetet e EU-së do ketë progres në të ardhmen dhe vija të qarta dhe ne do të mundohemi që ato reforma dhe ato arritje në sektor të ndryshëm të drejtësisë në mënyrë që të jenë paralele me gjykatat dhe agjensionet tjera në ministri. Jemi të kënaqur si Ambasadë amerikane që ky proces është duke vazhduar, i cili ka filluar në vitin 2018 dhe që jemi 18 muaj në proces si sektor i drejtësisë i ka ato shtyllat në të cilat ne jemi fokusuar si antikorrupsioni kriminaliteti në drejtësi”, tha ajo.
Hulumtuesja e organizatës Çohu, Rina Koliqi tha se si sfidë kryesore sipas të gjeturave të kësaj organizate mbetet niveli i lartë i korrupsionit, për çka u kërkua që qeveria ta ketë prioritet luftimin e kësaj dukurie negative.
Koliqi: Pa përgatitja e prokurorëve për përfaqësim të aktakuzave sfidë për drejtësinë
“Përfaqësimi i aktakuzave vazhdon të përcillet me probleme të shumta pothuajse në të gjitha gjykatat themelore. Ndër shqetësimet kryesore vazhdon të mbetet pa përgatitja e prokurorëve gjatë përfaqësimit të aktakuzave. Pa përgatitja e prokurorëve në përfaqësim të aktakuzave, mangësitë profesionale dhe përfaqësimi i dobët vazhdon t’i kushtojë sistemit të drejtësisë me mungesë efikasiteti dhe rezultate të dobëta në luftimin e korrupsionit. Sfidë tjetër e cila është madhore e zhvillimit të vendit dhe është çështje shqetësuese e identifikuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare është korrupsioni i nivelit të lartë, i cili duhet të trajtohej me prioritet nga sistemi i Republikës së Kosovës, dënimet e ulëta, hedhja poshtë e aktakuzave dhe lirimi i zyrtarëve të kualifikuar si zyrtarë të lartë vazhdojnë ta karakterizojnë sistemin e drejtësisë së Kosovës”, tha ajo.
Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj tha se rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë i cili u riniciua në vitin 2018 synon që të ngritë besimin e qytetarëve ndaj këtij sektori duke krijuar një sistem të konsoliduar të sundimit të ligjit.
Sipas tij kjo reformë është ndarë në tri faza të zhvillimit të saj me qëllim procesi të jetë gjithëpërfshirës.
Marmullakaj: Synojmë ta kthejmë besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë
“Kjo është një reformë e Ministrisë së Drejtësisë në koordinim të plotë me akterët ligj-zbatues dhe mekanizmave tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë që synon një vizion gjithëpërfshirës për një sektor të konsoliduar të sundimit të ligjit për të ngritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, për të mënjanuar pengesat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe për të mënjanuar po ashtu pengesat dhe për të mundësuar një integrim më të shpejt të Kosovës në Bashkimin Evropian. Synimi dhe pritja kryesore është që nga ky proces duke identifikuar problemet kyçe, të cilat pengojnë funksionimin e përfilltë të sundimit të ligjit dhe duke i trajtuar ato me masa të qarta do të arrijmë të sigurojmë mbarëvajtje të sektorit”, u shpreh Marmullakaj.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pati kritika ndaj Ministrisë së Drejtësisë që në procesin e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë nuk kanë qenë edhe deputetë e komisionit për legjislacion dhe Kuvendi i Kosovës.
Derisa i ka paraqitur disa nga prioritet e qeveria së ardhshme, e cila ende nuk është krijuar, Haxhiu tha se kjo qeveri synon që të gjitha punët që janë bërë në Ministrinë e Drejtësisë të hidhen poshtë, por që ato do t’i analizojnë në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve.
Ajo përmendi se ndër prioritet kryesore të qeverisë së ardhshme do të jetë sjellja e vettingut në drejtësi, i cili duhet të zhvillohet pa përfshirjen e partive politike.
Haxhiu: Ndër prioritetet që duhet shtyrë përpara është procesi i vettingut
“Unë besoj që një prej prioriteteve që duhet shtyrë përpara e që duhet ta ketë mbështetjen e plotë është procesi i vettingut apo verifikimi i prokurorëve, gjyqtarëve, policëve dhe jo vetëm institucioneve që janë shumë të ndjeshme për shkak të përgjegjësisë që kanë që janë doganat, ATK-ja. Besoj që duhet nisur nga nivelet më të larta. Besoj që procesi i vettingut është prioriteti i vetëm që mund ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Vetëm shihni raportet e ndryshme që bëhen për institucionet e drejtësisë në kuptimin e besimit të qytetarëve më së paku kanë pikërisht në këto institucione që në fakt është dashur ta kenë besimin më të madh”, tha Haxhiu.
Java kundër korrupsionit 2019 ka nisur ditën e hënë dhe vazhdon deri më 13 dhjetor. Në kuadër të kësaj jave trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokusi kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit.
Top Channel