Paralajmërimi i tërmetit/ A munden kafshët të na ndihmojnë?

27/11/2019 03:22

Minj që braktisin një qytet para një tërmeti shkatërrimtar, mund të mendosh se kjo është një legjendë, por shkencëtarët besojnë se kafshët me të vërtetë mund të mbajnë çelësin e një sistemi paralajmërues të tërmeteve.

Raportet për kafshë që zhduken para tërmeteve të mëdha, janë rrëfyer edhe si anekdota, por një studim ndërkombëtar, pak vite më parë, mundi të dokumentonte ndryshimet në sjelljen e kafshëve para një eventi sizmik.

Duke përdorur kamera që aktivizohen nga lëvizjet në një park në Peru, shkencëtarët kishin zbuluar ndryshime domethënëse në sjelljen e një kafshe që tre javë para se një tërmet me magnitudë 7 të godiste rajonin në 2011.

Në një ditë normale, kamerat regjistronin 5-15 kafshë që lëviznin por brenda një periudhe 23 ditore, para tërmetit, ato kishin regjistruar pesë ose më pak lëvizje kafshësh.

Në pesë ditët para tërmetit, nuk kishin regjistruar asnjë kafshë të lëvizte, dhe ky është një fenomen jo i zakontë në një rajon malor që gëlon nga jeta e egër. Sipas shkencëtarëve, ekziston mundësia që jonet pozitive në ajër, të gjeneruara në sasi të mëdha, kur shkëmbinjtë nën sipërfaqe janë të stresuar para një tërmeti, të jenë çelësi për sjelljen e kafshëve.

Dhe nga të gjitha kafshët, për ekspertët, minjtë janë ata më të ndjeshmit. Sipas tyre, ata janë të parët që zhduken në prag të një tërmeti dhe nuk shihen për të paktën tetë ditë para tij. Që më herët, Japonia dhe Kina kanë treguar se minjtë e laboratorëve kanë paraqitur probleme me ritmin circadian para tërmeteve. Edhe zogjtë po ashtu tregojnë ndjeshmëri të lartë.

Sidoqoftë, mbetet ende një mision për të ardhmen ai i shfrytëzimit të kafshëve si paralajmërues të hershëm të tërmeteve, pavarësisht se sjellja e tyre nuk ëhstë gjithnjë e parashikueshme.

Top Channel