Requiem
Nga Monika Stafa
Androniqi Zengo është piktorja e parë shqiptare. E formuar në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë dhe më pas në Ecole Des Belles Artes në Paris, ajo u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësuese në Institutin “Nana Mbretneshë”. E dashuruar me Lasgush Poradecin, e fejuara e parë e tij, u shfaq si piktore e peizazhit. Disa motive ajo i pikturoi duke pasur si asistent Lasgushin vetë.

Në 25-vjetorin e vetëqeverimit (1937), në kuadër të festimeve protokollare, Zengo hapi ekspozitën e saj të parë dhe të fundme, kur të afërmit e saj hapën një tjetër ekspozitë retrospektive pak vite më parë. Emri i saj u harrua si piktore dhe si ikonografe (ajo ka restauruar kishën e Drenovës dhe të Ungjillizimit në Tiranë). Edhe në studimet për artin, emri i saj u harrua.

Autore e më shumë se 400 pikturave, 200 prej tyre u ekspozuan pak vite më parë për disa ditë dhe u zgjat hapja e saj për shkak të interesimit të publikut – në portret, peizazh dhe kompozim (zakonisht thuhet se numri i pikturave të saj nuk kalon mbi 60), ajo nuk u prek prej kufizimeve të pikturës së realizmit socialist. E martuar me Kristaq Antoniun, ajo vazhdoi të punojë në heshtje deri në fundin e viteve 1980, e dënuar që t’i zhdukej emri edhe nga fjaloret enciklopedike.

Puna si ikonografe, hija e dyshimit si ish e fejuara e Lasgushit dhe mbi të gjitha preferencat e saj për bukurinë e trupit njerezor, duke qenë piktorja e parë e nudos femërore dhe mashkullore në Shqipëri, si dhe mospëlqimi i kanonit të realizmit socialist, me sa duket u bënë shkak që të mos njihet aspak në publikun shqiptar. Në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative gjenden afërsisht 60 vepra të Androniqi Zengos, por edhe ato janë të arkivuara dhe nuk i janë paraqitur ndonjëherë publikut. Androniqi Zengo është një emër i së njëjtës rëndësi si Tefta Tashko, Musine Kokalari.

 

Top Channel