Asambleja e 28-të e Përgjithshme e Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore zhvilloi nga data 22-23 nentorë në Tiranë takimin ku Shqipëria mori presidencën e radhës nga agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).

Ky ishte një prej vendimeve të marra nga Asambleja që zgjodhi drejtoreshën e përgjithshme të ATSH-së, Armela Krasniqi, Presidente e Aleancës së Agjencive të lajmeve në Ballkan dhe në Europën Juglindore për një mandat njëvjeçar.

Takimi i ardhshëm i Asamblesë së Përgjithshme u vendos të mbahet në Kosovë.

Në fokus të diskutimeve mes drejtuesve të agjencive të lajmeve të ABNA-SEE, ishte edhe dakordësia për të krijuar një platformë e-book ku të gjithë anëtarët e Aleancës së Agjencive Ballkanike të lajmeve do të kontribuojnë me artikuj që promovojnë turizmin, traditat e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të vendeve të tyre, monumentet, destinacionet, kulinarin dhe gjithçka me vlerë për nxitjen e potencialeve turistike të vendeve.
Kjo platformë e dakordësuar midis agjencive anëtare do të shërbejë si udhërrëfyes për çdo turist që viziton rajonin.

Përmes platformës, turistët mund të kenë një busull të destinacioneve dhe atraksioneve që mund të vizitojnë në secilin vend ballkanik. Ata do të mësojnë më shumë se çfarë duhet të shohin dhe ku mund të shkojnë për të provuar ushqim tradicional apo për të përjetuar mënyrën e jetesës lokale në secilin nga vendet ballkanike.

Asambleja e Përgjithshme e Aleancës së Agjencive Ballkanike të lajmeve u mblodh pas përfundimit të konferencës në Tiranë të organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare me titull “Media&Tourism, Ideas&Solutions”, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të këtyre agjencive. Synimi i kësaj konference ishte të krijojë kanale të reja të bashkëpunimit, për promovimin e turizmit në vendet e Ballkanit.
Drejtuesit dhe përfaqësuesit e agjencive ballkanike të lajmeve , gjatë qëndrimit në Shqipëri në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA-SEE) vizituan edhe qytetin turistik të Vlorës.
Kjo vizitë synoi njohjen dhe promovimin e resurseve turistike shqiptare tek vendet e rajonit, përmes informimit që agjencitë e lajmeve japin për publikun e gjerë.

Gjatë qëndrimit të tyre ata u ndalën në bashkinë e qytetit të Vlorës ku u mikpritën nga nënkryetari i bashkisë, Shkëlqim Rama, i cili bëri një pasqyrim të historisë, kulturës së qytetit bregdetar si edhe atraksionet turistike. Ata u njohën me trashëgiminë kulturore e historinë e jashtëzakonshme që e ndërthurur me peizazhin e mrekullueshëm të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij, që e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik.

Gjithashtu në takim u prezantuan për drejtuesit e agjencive ballkanike të lajmeve edhe projektet që janë duke u zbatuar nga bashkia e Vlorës në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare sikurse është edhe aeroporti i ri që do të ndërtohet së shpejti.

Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi theksoi se aeroporti i ri, pritet t’i japë një shtysë më shumë turizmit në vendin tonë dhe sidomos jugut të Shqipërisë.

Këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë i Agjencisë së Lajmeve greke, ANA MPA dhe ish-drejtori i përgjithshëm i saj Michalis Psilos, u shpreh se ajo që shihte ishte e pabesueshme.

Ai tregoi se në vitin 1989, vizitoi për herë të parë Shqipërinë si gazetar i dërguar nga gazeta ku punonte për të bërë një reportazh dhe qyteti i parë që kishte vajtur ishte Vlora.

“Është e pabesueshme kjo që po shoh. Nuk mendoja kurrë se do ta gjeja një qytet kaq të transformuar”, tha Psilos.

Krasniqi u shpreh se “njerëzit janë shumë mikpritës, madje shtëpitë e tyre i kanë kthyer në bujtina për të mikpritur turistët”.

Më pas, ata vizituan Muzeun e Pavarësisë, ku u informuan rreth historisë së periudhës së Pavarësisë dhe momenteve kulmore të kohës si dhe për përpjekjet e popullit shqiptar jo vetëm për pavarësi territoriale, por edhe për pavarësi kulturore.

Krasniqi, tha se muaji nëntor përkon edhe me Festën e Pavarësisë dhe Vlora është vetë qyteti i Pavarësisë, ku u nënshkrua edhe Deklarata më 28 Nëntor 1912.

Drejtuesit e agjencive të lajmeve të Ballkanit, vizituan edhe lagunën e Nartës si dhe ishullin e Zvërnecit, ku mbetën të surprizuar me peizazhin fantastik që ndërthurej me kishën e vjetër ortodokse të Shën Mërisë, që është një kishë e shekullit të 13-të, e cila mbart afreske shumë të vjetër.

Udhëtimin e tyre në Vlorë, drejtuesit e agjencive partnere në rajon e mbyllën me një vizitë në shëtitoren e Lungomares, që është pasqyrë dinamike e zhvillimit të qytetit bregdetar vitet e fundit.

Hapësira mediatike e promovuese që ofrojnë agjencitë e lajmeve në rajon është një mundësi e shkëlqyer për të synuar zgjerimin e tregut turistik drejt këtyre vendeve dhe rritjen e numrit të turistëve prej tyre, por jo vetëm.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress që nga viti 2017-të është anëtare me të drejta të plota ne ABNA e cila është themeluar në vitin 1995.

Lexo edhe: U mbajt Asambleja e 27 e Agjencive të Ballkanit ABNA-SE

KosovaPress pranohet anëtare me të drejta të plota në ABNA-SE

KosovaPress në kongresin botëror të Agjencive të Lajmeve

Anëtarët e saj janë ATSH ( Shqipëri), KosovaPress (Kosovë), AGERPRES (Rumani), ANA-MPA (Greqi), AA (Turqi), , BTA (Bullgari), CNA (Qipro), FENA (BH), HINA (Kroaci), SRNA (Republika Serbska) MIA (Maqedoni) dhe TANJUG (Serbi) ndërsa vendet me statusin e vëzhguesit janë Moldavia, Sllovenia, Armenia dhe Mali i Zi. /ATSH-KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA