Në një kohë kur ish kreu i bashkisë Vorë, Agim Kajamku, është në listën e të kërkuarve pasi ndodhet në arrati, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një shkresë Dhomës Kombëtare të Noterisë.

Në këtë shkresë kërkohet që çdo noter, pranë së cilit do të paraqitet Agim Kajmaku , ata paraprakisht duhet të njoftojnë policinë e shtetit, pa kryer asnjë veprim noterial, në të kundërt do të ngarkohen me përgjegjësi penale.

Shkresa që mban datën 14 nëntor, është dërguar pikërisht për faktin e ekzistencës së mundësisë që Agim Kajmaku mund të paraqitet pranë një zyre noterie për të lëshuar një prokurorë për avokatin e tij që të jetë pikërisht ky i fundit që do t’a përfaqësonte Kajmakun në mungesë.

Më herët, prokuroria në rrugë zyrtare ka pohuar që Agim Kajmaku, kërkohet në lidhje me hetimin e nisur ndaj tij për falsifikim të formularëve që ishte denoncuar gjatë verës nga opozita. Faktin, që ka qenë i dënuar në Greqi, ish kreu i bashkisë së Vorës, nuk e kishte raportuar në formularin e dekriminalizimit.
Po ashtu, Kajmaku është në hetim edhe për ushtrim të funksioneve pas dhënies fund të detyrë së tij, pasi ditën e fundit kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin, ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë.

Në të njëjtën ditë, në vend të tyre ai emëroi nënkryetar Gentian Picari. Bashkia e Vorës tashmë është nën drejtimin e këtij të fundit.

Banorët e Vorës shprehen se kësaj çështje i duhet dhënë zgjidhje dhe se bashkisë i duhet një drejtues i ri.

“Bashkia pa kryetar është si shtëpia pa zot shtëpie. Duhet vendosur kryetar, nuk mund të rrijë vendi vakant, bosh”, shprehet qytetari.

Ndërsa një pjesë tjetër shprehet se Bashkia e Vorës, po vazhdon të funksionojë normalisht edhe me nënkryetar.

“Kemi mbaruar punë kush ka pasur, këta miq, e shokët tanë. Bashkia funksionon njësoj si me kryetar si me nënkryetar”, ka thënë një nga banorët.

Andi Bora

Top Channel