Pas deklarimeve të fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dhënë sqarime rreth vendimit për ndërtimin e Stadiumit kombëtar.

“Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije qytetarëve të Kosovës, sidomos atyre që pa asnjë analizë flasin për ndërrim të lokacionit, se MKRS-ja tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat, ka marrë vendim në qeveri për ndërtimin e stadiumit, ka bërë fizibilitetin e lokacionit, ka bërë shpimet e tokës dhe ka finalizuar projektin për Stadiumi Kombëtar të Kosovës”, thuhet në sqarim.

MKRS vlerëson se ndryshimi eventual i lokacionit do të rriste koston e stadiumit, do të komplikonte situatën edhe më tej dhe është një tendencë e qartë për ngecjen e këtij projekti, për më shumë, janë lajme dëshpëruese për qytetarët Kosovës në një kohë kur vendit tonë i duhet më së shumti ky projekt i cili është i gatshëm për të filluar.

MKRS fillimisht ka planifikuar që Stadiumin Kombëtar të Kosovës ta ndërtojë në Prishtinë. Kemi analizuar hapësirën në fshatin Bërnicë, e cila ka rezultuar me konteste pronësore, ka pasur hapësira që është dashur të shpronësohen dhe kjo e ka rritur koston e tërësishme të projektit, për më keq, ish-Qeveria Mustafa nuk kishte zhvilluar asnjë procedurë për ndërtimin e stadiumit në Bërrnicë.

Ndërkaq, lokacioni i tanishëm, për të cilin është marrë vendim që të ndërtohet stadiumi, ka qenë më i favorshmi për arsye të shumta.

Dallimi në kilometra nga Prishtina në Korreticë ose Bërnicë është vetëm 5 km. Gatishmëria dhe bashkëpunimi i Komunës së Drenasit për ta ofruar një hapësirë të këtillë, ku tashmë prona ka kaluar të gjitha procedurat e duhura, duke qenë e dedikuar për stadium. Hapësira e tanishme, konkretisht ngastrat e kadastrave të ndara për stadiumin kombëtar, kanë qenë pronë e cila nuk ka pasur nevojë për shpronësim dhe kështu e ka ulur ndjeshëm koston e projektit, thuhet më tej në sqarim.

Fakte tjera të cilat kanë qenë të arsyeshme dhe bindëse që të përcaktohen për lokacionin, sipas MKRS-së, janë edhe afërsia me Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe qasja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, teksa në vendimmarrje janë bazuar edhe te qëndrimi i trajtimit të barabartë për të gjitha skajet e territorit të Kosovës që stadiumi të ndërtohet në qendër të Kosovës.

MKRS ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që të konkretizohet projekti në fjalë dhe ka shpallur thirrje ndërkombëtare për dizajnimin e projektit të Stadiumit kombëtar duke prezantuar projektin ideor të tij që ka kushtuar mbi 1 milion euro.

Ndryshe, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumnir Abdixhiku, ka thënë se gjatë bisedave në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së është diskutuar edhe rreth ndërtimit të stadiumit kombëtar.

Abdixhiku ka thënë se stadiumi është vendosur të ndërtohet në Bërnicë dhe jo në Drenas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA